Festa e Shën Valentinit e gjeti Tiranën te mbuluar me petkun e bardhë të dëborës. Ky ishte një fenomen i gëzueshëm natyror që ndodhte pas më shumë se katër viteve. Peisazhi i kryeqytetit ishte mbresëlënës dhe sidomos femijët e përjetuan me gëzim të veçantë.
Ata së bashku me prindërit e tyre pushtuan rrugët dhe sheshet për të luajtuar apo fiksuar fotot e rralla.
Dëbora erdhi atëherë kur ndoshta nuk pritej pasi ndonëse stinë dimri, prej shumë ditësh moti ishte i ngrohtë dhe me diell.
Temperaturat shënuan zbritje të menjëhershme në kryeqytetin shqiptar çka solli edhe dëborën.
Vizitorë të shumtë ju drejtuan kodrave të Parkut të Liqenit Artificial duke i dhënë jetë dhe gjallëri peisazhit ku flora ishte stolisur në të bardhë si rrallë herë.
Zërat gazmorë të fëmijëve tregonin sa e mirëpritur ishte dëbora në kryeqytet, ku shumë prej tyre e kishin parë vetëm në ekranet e televizorëve.
Hera e fundit që kryeqyteti u mbulua nga dëbora, ishte janari i vitit 2017.