Zona turistike e Valbonës është një nga mrekullitë e natyrës shqiptare.

Kjo luginë ndodhet në pjesën më veriore të Shqipërisë, në lindje të masivit malor të Alpeve që përfshihet nga rrethi i Tropojës.
Lugina e Valbonës shtrihet nga Qafa e Valbonës deri në luginën e Drinit në një gjatësi prej 50 kilometër.
Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.
Mes majave të larta shkëmbore imponuese, me faqe të pjerrëta të veshura me pisha, rrjedh lumi i Valbones.
Kjo zonë është joshëse në çdo stinë, por dimri fton në zemër të alpeve sidomos turistet e aventurës pasi trashësia e dëborës arrin më shumë se dy metër.
Peisazhet me kontraste te thella, gati mitike, nga lugina ku rrjedh lumi i kristaltë i Valbonës deri në lartësine e alpeve që puthin qiellin, janë të magjishme.
Për banorët e zonës, dëbora krijon veshtirësi për blegtorinë, por është një vlerë e shtuar për turizmin që u siguron të ardhura për familjet e tyre.
Të vizitosh Valbonën e veshur me petkun e bardhë të dëborës, të ngjan se je pjesë e Eposit të Kreshnikëve.