Edson Arantes do Nascimento, legjenda e futbollit i njohur më mirë si "Pele" dhe i konsideruar si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave, festoi 80-vjetorin e lindjes të premten e kaluar, i kufizuar në shtëpinë e tij në Brazil për shkak të pandemisë.

Futbollisti i madh ka vuajtur nga një numër problemesh shëndetësore vitet e fundit, por nuk e ka humbur karizmën dhe sensin e humorit.

"Jam mirë, thjesht nuk do të jem në gjendje të luaj (futboll)," tha ai me shaka në një videotelefonatë me kreun e Konfederatës Braziliane të Futbollit në fillim të javës së kaluar.

Futbollisti i vetëm në histori që ka fituar tre kupa botërore (1958, 1962 dhe 1970) ka zgjedhur ta festojë ditëlindjen e tij në qetësi, siç bën pothuajse çdo vit.

Por në Brazil janë planifikuar disa veprimtari në nderim të tij, si një ekspozitë në Muzeun e Futbollit në Sao-Paulo, ndërsa artisti i njohur Eduardo Kobra ka krijuar një pikturë murale në Santos, qyteti ku Pele filloi karrierën profesionale në vitin 1955, në moshën 15-vjeçare. (Artan Goga)