Presidenti kinez Xi Jinping, që ndodhet për një vizitë inspektimi në provincën Liaoning, shkoi në kryeqendrën e kësaj province, Shenyang, duke vizituar një ndërmarrje dhe një lagje banimi.

Gjatë vizitës në një kompani robotike të mërkurën në Shenyang, presidenti Xi theksoi rëndësinë e veçantë të krijimit të pavarur të risive, që sipas tij do të nxitë kalimin e ekonomisë kineze nga zhvillimi sasior në atë cilësor.

Xi bëri thirrje për përpjekje për të promovuar mbështetjen te vetja në shkencë e teknologji dhe për të forcuar zotërimin e teknologjive kyçe në fushat kryesore dhe prodhimin e pajisjeve, ndërsa pohoi përparimin e bërë nga kompania në inovacionin e pavarur dhe zhvillimin e industrializuar.


Presidenti Xi vizitoi edhe një lagje banimi në distriktin "Huanggu" të qytetit Shenyang. Duke e quajtur rinovimin e lagjeve të vjetra të banimit një punë të rëndësishme për rritjen e cilësisë së jetës së njerëzve, ai theksoi nevojën jo vetëm për përmirësimin e mjedisit të jetës, por edhe për forcimin e shërbimeve në lagje.

Duhet të bëhen më shumë përpjekje që njerëzit ta ndiejnë se Partia Komuniste e Kinës i shërben popullit me gjithë shpirt dhe është gjithmonë pranë popullit, tha Xi.

Duke marrë parasysh plakjen e popullsisë së Kinës dhe rritjen e jetëgjatësisë së të moshuarve, shërbimet e kujdesit për të moshuarit duhet të vazhdojnë të zgjerohen, u shpreh presidenti.

Ai bëri thirrje gjithashtu për forcimin e kujdesit dhe zhvillimit të fëmijëve.