Foto:VCG

Foto:VCG

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian u shpreh në një konferencë shtypi të hënën që hekurudha Kinë-Laos është bërë një shembull i gjallë i bashkëpunimit me cilësi të lartë ndërmjet Kinës dhe vendeve të ASEAN-it, si edhe një dëshmi e fuqishme për zbatimin e Nismës së Zhvillimit Global. “Ne mirëpresim më shumë vende e rajone të marrin pjesë në bashkëpunimin në kuadër të nismës ‘Një brez, një rrugë’, për të ndarë së bashku rastet dhe përfitimet e sjella nga ndërlidhja,” tha Zhao Lijian.

Pak ditë më parë u vënë në përdorim kantieri i riparimit dhe integrimit hekudhuror në Stacionin Jugor të Vientianës të hekurudhës Kinë-Laos, çka simbolizon ndërlidhjen e hekurudhës Kinë-Laos-Tajlandë.

Zhao u shpreh që hekurudha Kinë-Laos në veri mund të lidhet me shumë qytete kryesore kineze dhe linjat e trenave Kinë-Europë, ndërsa në jug mund të mbërrijë në Tajlandë, Malajzi dhe Singapor. Laosi është shndërruar nga “vendi i mbyllur” në një “vend të ndërlidhur” dhe gjendet përpara mundësive të zhvillimit që nuk i ka pasur kurrë më parë.

“Nga hapja në fund të vitit të kaluar deri më 30 qershor të këtij viti, hekurudha Kinë-Laos ka transportuar 4 milionë udhëtarë e afro 5 milionë tonë mallra, 800 mijë tonë ndër të cilat janë mallra ndërkufitare. Mbi 20 provinca dhe qytete kineze kanë vënë në qarkullim trena mallrash Kinë-Laos, në të cilat transportohen mbi 100 lloje mallrash, si fruta dhe produkte fotovoltaike e elektronike, duke mbuluar më shumë se 10 vende e rajone, si Laosi e Tajlanda. Hekurudha Kinë-Laos është bërë motori i ri për shtimin e ndërlidhjes dhe bashkëpunimit ekonomik në rajon dhe mirëpritet gjerësisht nga vendet e rajonit,” theksoi zëdhënësi i diplomacisë kineze.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ai u shpreh gjithashtu që gjatë 9 vjetëve pas paraqitjes së nismës “Një brez, një rrugë”, Kina ka nënshkruar dokumente bashkëpunimi me 149 vende e 32 organizata ndërkombëtare, duke hartuar mbi tre mijë projekte bashkëpunimi me një vlerë investimesh afro 1 trilion dollarë amerikanë. Të hënën u zhvillua me sukses në Mianmar Mbledhja e 7-të e Ministrave të Jashtëm të Bashkëpunimit Lancang-Mekong, ku Kina shprehu gatishmërinë për zbatimin e konsensusit bashkë me vendet anëtare të kornizës së bashkëpunimit Lancang-Mekong, për të mbajtur në mend misionin origjinal për përfitime dhe zhvillim të përbashkët, për të ndërtuar bashkërisht me cilësi të lartë zonën demostruese të “Një brez, një rrugë”, për të sjellë më shumë përfitime për vendet e popujt e rajonit dhe për të ofruar më shumë fuqi mbështetëse për lulëzimin dhe stabilitetin e rajonit.

Duke folur për gjendjen e zbatimit të Nismës së Zhvillimit Global dhe planet e ardhshme, Zhao Lijian u shpreh që kjo nismë është e hapur e gjithëpërfshirëse dhe Kina mirëpret vendet e ndryshme dhe organizatat ndërkombëtare të marrin pjesë në bashkëpunimin në kuadër të kësaj nisme.

“Në të ardhmen, Kina është e gatshme që të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të zbatuar aktivisht rezultatet e dialogut, ta nxitë bashkësinë ndërkombëtare të fokusohet te zhvillimi, të shtojë investimet në bashkëpunimin për zhvillimin global, të forcojë bashkëpunimin konkret me palët në fushat kryesore të përmendura në Nismën e Zhvillimit Global, si pakësimi i varfërisë, siguria ushqimore, puna antiepidemike e vaksinat, financimi për zhvillimin, ndryshimi klimatik e zhvillimi i gjelbër, industrializimi, ekonomia digjitale dhe ndërlidhja në epokën digjitale, si edhe të ndërtojë një bazë të dhënash të projekteve për zhvillimin global dhe të shtojë ndarjen e njohurive për zhvillimin. Nisma e Zhvillimit Global ndjek frymën e hapjes dhe të gjithëpërfshirjes. Ne mirëpresim vendet dhe organizatat ndërkombëtare, veçanërisht agjencitë e OKB-së, si edhe vendet e zhvilluara, të marrin pjesë në bashkëpunimin në kuadër të kësaj nisme, për të krijuar sinergji maksimale për zbatimin e shpejtë të Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030,” u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian. (Jiang Lei)