Foto nga VCG

BRICS-i u zotua të enjten të ruajë paqen dhe sigurinë botërore në një deklaratë të përbashkët të miratuar në samitin e tij të 14-të.

Ndërsa Kina mban kryesimin e këtij grupi në vitin 2022, presidenti kinez Xi Jinping drejtoi nga Pekini nëpërmjet videolidhjes samitin, ku morën pjesë presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa, presidenti brazilian Jair Bolsonaro, presidenti rus Vladimir Putin dhe kryeministri indian Narendra Modi.

Në Deklaratën e Samitit të 14-të të BRICS-it të Pekinit, liderët angazhohen për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërmjet vendeve nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve, si dhe për mbështetjen e të gjitha përpjekjeve për zgjidhjen paqësore të krizave.

Në deklaratë, liderët e pesë vendeve bënë të ditur se diskutuan lidhur me situatën në Ukrainë, duke mbështetur bisedimet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Udhëheqësit gjithashtu mbështesin një Afganistan paqësor, të sigurt e të qëndrueshëm, ndërsa theksojnë respektin për sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial, unitetin kombëtar dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme të këtij vendi.

Po sipas deklaratës, vendet ripohojnë angazhimin e tyre për një botë pa armë bërthamore dhe theksojnë "përkushtimin e fortë" ndaj çarmatimit bërthamor.

Vendet e BRICS-it vunë në dukje se e njohin rolin e rëndësishëm që ka bashkëpunimi mes tyre për të trajtuar rreziqet dhe sfidat në arritjen e rimëkëmbjes globale të ekonomisë botërore dhe të zhvillimit të qëndrueshëm.

Në deklaratë shprehet gjithashtu mirënjohja për qeverinë dhe popullin kinez për mbajtjen e samitit të së enjtes dhe njoftohet se në vitin 2023 Afrika e Jugut do të marrë kryesimin dhe do të organizojë Samitin e 15-të të BRICS-it.(Artan/Fani)