Foto nga VCG

Në ceremoninë e hapjes së videotakimit të ministrave të Jashtëm të BRICS-it të zhvilluar të enjten, presidenti kinez Xi Jinping mbajti një fjalim, ku theksoi se, si forca konstruktive të bashkësisë ndërkombëtare, vendet e BRICS-it duhet të nxitin stabilitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Siguria është shtylla e bashkëpunimit të BRICS-it. Pak kohë më parë, presidenti kinez Xi Jinping paraqiti Nismën e Sigurisë Globale. Këtë herë ai e ritheksoi këtë nismë dhe u shpreh se vendet e BRICS-it duhet të respektojnë sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të njëri-tjetrit dhe të kundërshtojnë hegjemonizmin, politikën e forcës dhe mendësinë e Luftës së Ftohtë.

Zhvillimi është një detyrë tjetër e BRICS-it. Në gjendjen e paqartësisë së rimëkëmbjes ekonomike globale dhe të çekuilibrit të zhvillimit, ekonomitë e reja dhe vendet në zhvillim duhet të forcojnë më tej bashkëpunimin. Vendet e BRICS-it po e bëjnë një gjë të tillë. Për të nxitur bashkëpunimin në fushën e shëndetit publik dhe të vaksinave, Banka e Zhvillimit e BRICS-it ka dhënë 10 miliardë dollarë fonde dhe çdo vend i BRICS-it ka dhënë 1 miliard dollarë kredi për raste të jashtëzakonshme. Në fushën ekonomiko-tregtare, në vitin 2021 vëllimi i import-eksportit të mallrave i vendeve të BRICS-it arriti në 8 trilionë e 549 miliardë e 808 milionë dollarë, duke u shtuar 33.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky rezultat është një pikë e ndritshme në ekonominë globale në sfondin e goditjes së pandemisë.

Kur paraqiti për herë të parë në vitin 2001 konceptin e “BRICS”-it, kryeekonomisti i Grupit “Goldman Sachs” Jim O’Niell pa forcën e veçantë të ekonomive të reja. Tani siguria ndërkombëtare dhe rimëkëmbja ekonomike përballojnë ende shumë sfida, por me bashkëpunimin e ngushtë, vendet e BRICS-it do të luajnë patjetër rolin e duhur, duke i sjellë zhvillimit global energji. (Fani/Artan)