Foto:VCG

Foto:VCG

Ministria e Tregtisë e Kinës bëri të ditur të enjten që, në janar-prill, niveli i përdorimit real të investimeve të huaja në Kinë arriti në 478.61 miliardë juanë, 20.5 % më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për sa u përket sektorëve, përdorimi i investimeve të huaja në sektorin e shërbimeve ishte 351.94 miliardë juanë, 12.5 % më shumë se në katër muajt e parë të vjetshëm, ndërsa sektori i teknologjisë të lartë shënoi rritje me 45.6%. Ndër to, sektori i prodhimit me teknologji të lartë u rrit me 36.7 % dhe sektori i shërbimeve me teknologji të lartë me 48.3%. Krahas tyre, edhe sektori i shërbimeve të informacionit, sektori i shërbimeve në kërkim-zhvillim e dizejnim dhe sektori i prodhimit të pajisjeve elektronike regjistruan rritje përkatësisht me 69.7 %, 60.4 % dhe 45.3 %.

Koreja e Jugut, ShBA-ja dhe Gjermania kanë shtuar investimet në tregun kinez përkatësisht me 76.3 %, 53.2 % e 80.4 %.

Në katër muajt e parë të këtij viti, në Kinë janë shtuar 185 projekte kryesore me investime të huaja, me vlerë të përgjithshme prej mbi 100 milionë dollarësh amerikanë, që do të thotë mesatarisht 1.5 projekte kryesore me investime të huaja në ditë.

“Volkswagen” i Gjermanisë, “Pohang” i Koresë së Jugut, “Costco” e ShBA-së, “Hitachi” i Japonisë dhe kompani të tjera ndërkombëtare kanë siguruar investime të mira në projekte madhore në Kinë, gjë që ka nxitur efektivisht rritjen e shpejtë të investimeve të huaja në Kinë.

“Kompanitë shumëkombëshe po zgjerojnë aktivisht investimet e tyre në Kinë, gjë që pasqyron plotësisht besimin e fortë të investitorëve të huaj te zhvillimi ekonomik i Kinës, arritjet e jashtëzakonshme të Kinës në hapjen ndaj botës së jashtme e përmirësimin e mjedisit të biznesit, dhe përmasat e mëdha të tregut kinez me sektorë të plotë mbështetës, infrastrukturë të plotë e burime të pasura njerëzore, të cilat kanë një forcë të madhe tërheqëse për investimet e huaja,” tha zëdhënësja e Ministrisë kineze të Tregtisë Shu Yuting. (Jiang Lei)