Qeveria kineze shpalli të enjten masa të reja për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe individët e vetëpunësuar të kalojnë vështirësitë.

Gjatë kryesimit të një mbledhjeje ekzekutive të Këshillit të Shtetit, kryeministri Li Keqiang specifikoi gjithashtu hapat për të stabilizuar tregtinë e jashtme në sfondin e përpjekjeve për të lehtësuar funksionimin e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit.

Kryeministri Li foli lidhur me rëndësinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si themel i stabilizimit të ekonomisë dhe nxitëse të punësimit. Ai kërkoi zbatimin e shpejtë të politikave dhe masave ekzistuese, si zbritja e taksave, ulja e tarifave, shtyrja e pagesave të primeve të sigurimeve shoqërore, garancitë logjistike dhe nxitja e rifillimit të punës dhe prodhimit të ndërmarrjeve.

Në mbledhje u tha se Kina do të rrisë përkrahjen me politika, veçanërisht mbështetjen financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Bankat e mëdha shtetërore do të orientohen në shpërndarjen aktive të 1.6 trilion juanëve (240 miliardë dollarë) kredi përfshirëse për ndërmarrjet e vogla dhe mikrondërmarrjet sivjet. (Artan)