Autoritetet e Shangait thanë të martën se kanë shtuar përpjekjet për të përballuar një kërkesë shumë më të lartë për shërbime ambulatore gjatë betejës së ashpër kundër shpërthimit më serioz të COVID-19 në këtë qytet.

Me qindra mijë raste pozitive të raportuara që nga marsi, metropoli kinez është përballur me një numër në rritje njerëzish që kanë nevojë të kontrollohen menjëherë në spitale për shkaqe të ndryshme.

Numri i thirrjeve në 120, linja telefonike për shërbimet ambulatore në Kinë, tani në Shangai ka arritur 12 herë më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, gjë që ka çuar në kohë më të gjata pritjeje dhe ka sjellë ankesa nga banorët, bënë të ditur zyrtarët vendorë.

Bashkia ka shfrytëzuar mënyra të tilla si rekrutimi i vullnetarëve për të trajtuar këtë mungesë, thanë ata, duke shtuar se provinca Hebei dhe bashkia e Tianjin-it kanë dërguar 100 ambulanca dhe 298 punonjës të tyre për të ndihmuar Shangain. (Artan/Fani)