Në Kinë u shpall të martën lista e fituesve të Medaljes së Katër Majit, çmimi më i lartë që jepet për të rinjtë kinezë në prag të Ditës së Rinisë, për të vlerësuar kontributin e tyre për vendin.

Gjithsej 122 individë dhe 33 grupe u përfshinë në këtë listë. Fituesit vijnë nga sfera të ndryshme të jetës, që nga punonjësit e kujdesit shëndetësor e inxhinierët te mësuesit, studentët dhe zyrtarët në bazë.

Ndër ta përfshihet Ma Yuting, studiues në Institutin e Mjekësisë së Sistemeve të Suzhou-t pranë Akademisë Kineze të Shkencave Mjekësore, i cili ka promovuar studime mbi përgjigjet qelizore ndaj stresit, imunogjenitetin e tumoreve dhe rregullimin imunitar në sëmundje; Wang Zhen, sekretar i degës së Partisë në Shkollën e Sigurisë Kibernetike në Universitetin Politeknik Veriperëndimor; Feng Shaowei, projektues në Korporatën e Shkencës dhe Teknologjisë Hapësinore të Kinës (CASC), dhe sportistë si Yang Qian e Quan Hongchan, që arritën triumf gjatë Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Verore të vitit 2020 në Tokio.

Yang fitoi medaljen e parë të artë të Lojërave Olimpike të Tokios në pushkë me ajër 10 metra për femra, ndërsa Quan, e cila në atë kohë ishte 14 vjeç, u bë kampionia më e re e Kinës në Tokio dhe tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare si një talent në zhytje. Ndërsa ekipi kinez i skermës në karrige me rrota për femra ishte ndër organizatat e nderuara me medalje.

Ekipi i vullnetarëve nga Grupi "Shougang", që ofroi shërbime dhe mbështetje për Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022, grupi nga kompania CCCC e Tianjin-it, që ndërtoi dragën "Tiankun", dhe Departamenti i Sistemit të Shtytjes për Fluturimet Hapësinore me Astronautë i CASC-ut ishin ndër grupet e tjera fituese të çmimeve. (Artan/Fani)