
Për 17 vjet rresht, Vladimir Putini ka mbajtur një konferencë shtypi në dhjetor në Moskë. Ndryshe nga viti i kaluar, kur kjo konferencë u mbajt në internet për shkak të COVID-19, këtë vit 507 gazetarë u ftuan t'i bashkoheshin presidentit rus në sallën e famshme “Manezh”, jashtë mureve të Kremlinit.
Për gati katër orë, gazetarët bënë dhjetëra pyetje, duke filluar nga anulimi i linjave lokale hekurudhore deri te frika e një konflikti të ri ushtarak në shkallë të gjerë që përfshin Rusinë.
Kina ishte në qendër të pyetjeve mbi politikën e jashtme. Presidenti Putin tha ndër të tjera se Rusia është e vendosur kundër politizimit të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022. Ai e quajti këtë veprim "të papranueshëm dhe të pasaktë". Ai gjithashtu e përshkroi Kinën si partneren numër një të Rusisë.
"Është gabim të përdorësh sportin për çështje të politikës aktuale, domethënë për ndalimin e zhvillimit të Kinës. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm që kjo është e pandalshme. Sot pariteti i fuqisë blerëse të Kinës është më i lartë se i ShBA-së. Pas ca kohësh Kina do të bëhet në mënyrë të pashmangshme ekonomia kryesore në botë," u shpreh Putini.
Ai theksoi gjithashtu nivelet e tregtisë dhe bashkëpunimit si kurrë më parë midis Rusisë dhe Kinës në fushën hapësinore, mjekësore, shkencore dhe ushtarake.
Rritja e tensionit me vendet perëndimore ishte gjithashtu një temë e pashmangshme në këtë konferencë. Putin tha se Perëndimi po fabrikonte një krizë të gazit natyror në Evropë, duke këmbëngulur se Rusia kohët e fundit nuk kishte ulur, por kishte rritur eksportet e gazit në këtë kontinent me 10 për qind.
Ai gjithashtu konfirmoi se zyrtarët rusë dhe amerikanë do të takohen në fillim të janarit. Ata pritet të diskutojnë ofertën e Rusisë për të zbutur tensionet në rritje midis dy palëve për Ukrainën dhe zgjerimin e NATO-s. (Artan/Fani)







