Presidenti kinez Xi Jinping vlerësoi të mërkurën punën e kryeekzekutives së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut (HKSAR) Carrie Lam, duke theksuar se Hong-Kongu ka kaluar nga kaosi në rregull dhe se situata po vazhdon të përmirësohet.

Xi i bëri këto komente gjatë një takimi me Lam, e cila ndodhet për një vizitë pune në Pekin. Presidenti kinez dëgjoi raportin e kryeekzekutives mbi situatën aktuale në Hong- Kong dhe punën e HKSAR-it.

Autoritetet qendrore e njohin plotësisht performancën e Carrie Lam dhe qeverisë së HKSAR-it në përmbushjen e detyrave të tyre, tha Xi.

Kreu i shtetit i Kinës vlerësoi përpjekjet e qeverisë së SAR-it për të marrë masa aktive për të kontrolluar COVID-19, për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike të qytetit dhe për të promovuar integrimin e Hong-Kongut në zhvillimin e vendit.

Ai tha se historia e jashtëzakonshme e Hong-Kongut që nga kthimi në atdhe dëshmon plotësisht se zbatimi i parimit "Një vend, dy sisteme" çon në mbrojtjen e interesave themelore të vendit dhe të Hong-Kongut e banorëve të tij. (Artan/Fani)