
Komuniteti ndërkombëtar duhet të luftojë së bashku pandeminë e koronavirusit, të kundërshtojë dezinformimin dhe diskriminimin lidhur me vaksinat dhe të rrisë shkallën e vaksinimit, theksoi të martën ambasadori kinez në ShBA, Qin Gang.
Ai i bëri këto komente si përfaqësues i ministrit të Jashtëm të Kinës Wang Yi, në një mbledhje virtuale mbi variantin e ri të koronavirusit “Omicron” të organizuar nga sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.
Duke vënë në dukje se “Omicron” po përhapet me shpejtësi në të gjithë globin dhe ka shkaktuar një situatë shumë të rëndë, ambasadori theksoi urgjencën për të siguruar furnizim të mjaftueshëm dhe shpërndarje të drejtë të vaksinave.
"Deri tani Kina ka ofruar afro 2 miliardë doza vaksinash për më shumë se 120 vende e organizata ndërkombëtare, duke u bërë furnizuesja më e madhe me vaksina për vendet e tjera. Shumica e vaksinave që kanë marrë vendet në zhvillim janë nga Kina," tha ai.
Kina njoftoi së fundmi se do të dhurojë 100 milionë doza të tjera vaksinash për vendet e tjera në zhvillim dhe 100 milionë dollarë për aleancën ndërkombëtare të njohur si COVAX, si edhe do të japë një miliard doza të tjera vaksinash për Afrikën.
Duke thënë se “Omicron” paraqet një sfidë të re për Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, ambasadori Qin Gang theksoi se Kina do të marrë masa më efektive për të mbrojtur sportistët dhe mysafirët nga të gjitha vendet pjesëmarrëse. (Artan/Fani)







