
Kryeministri kinez Li Keqiang vlerësoi të martën gjallërinë në bashkëpunimin midis Kinës dhe Rusisë teksa bashkëkryesoi takimin e 26-të të rregullt me kryeministrin rus Mikhail Mishustin përmes lidhjes me video.
Të dyja palët kanë kapërcyer ndikimin e pandemisë së COVID-19, kanë rritur tregtinë mes tyre dhe kanë çuar përpara projektet e mëdha të bashkëpunimit, tha Li.
Nga janari deri në tetor të këtij viti, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës dhe Rusisë arriti në 115.6 miliardë dollarë, 30.9 për qind më shumë se në dhjetëmujorin e parë të vitit të kaluar, sipas Administratës së Përgjithshme të Doganave të Kinës.
Kina dhe Rusia duhet të zgjerojnë hyrjen në treg dhe të lehtësojnë tregtinë e investimet dypalëshe, theksoi Li.
Nga ana e tij, Mishustin tha se partneriteti i gjithanshëm strategjik i bashkërendimit për një epokë të re ruso-kinez është në një nivel të lartë historik.
Rusia është e gatshme për të thelluar bashkëpunimin pragmatik me Kinën në fusha të ndryshme kryesore dhe për të trajtuar së bashku sfidat, theksoi ai.
Kryeministri shtoi se Rusia mbështet organizimin nga Pekini të Lojërave Olimpike Dimërore 2022. (Artan/Fani)







