
Foto nga VCG
Organizatorët e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit kanë përsëritur angazhimin e tyre për të zhvilluar një Olimpiadë Dimërore të gjelbër, duke premtuar se do t'i bëjnë Lojërat "të thjeshta dhe të shkëlqyera".
Zyrtari i Bashkisë së Pekinit, Ding Jianming, tha se vazhdueshmëria do të jetë një tipar i Lojërave.
"Kursimi përshkon tërë Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit. Si qyteti i parë organizator në botë si i olimpiadës verore, ashtu edhe asaj dimërore, përdorimi i plotë i trashëgimisë së Lojërave Olimpike Verore të Pekinit është një nga elementet e spikatura të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit. Huazimi i objekteve të shërbimit publik të qytetit është një tjetër karakteristikë e organizimit me kursim të Olimpiadës së Pekinit. Në vendet dhe objektet olimpike gjithashtu nuk do të ketë prishje dhe ndërtim në shkallë të gjerë."
Organizatorët e Pekinit kanë premtuar gjithashtu se do të përdorin 100 për qind energji të gjelbër dhe të pastër në objektet e Lojërave Dimërore dhe teknologji pa lëshim karboni në prodhimin e akullit.
Ndërkohë, kryeinxhinieri i Komisionit të Transportit të Bashkisë së Pekinit, Li Gongke, njoftoi se do të krijohen korsi olimpike për të garantuar që trafiku i Pekinit të mos cenojë funksionimin e Lojërave Olimpike Dimërore.
“Për të siguruar funksionimin normal të transportit për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit, do të duhet të vendosim korsi të posaçme trafiku për lojërat, të cilat do të mbulojnë vendet kryesore olimpike. Korsitë e posaçme të planifikuara arrijnë gjithsej mbi 270 kilometra," u shpreh kryeinxhinieri. (Artan)







