

Të dielën paradite përfundoi me sukses në Pekin prova e funksionimit të fshatit të Lojërave Dimërore Olimpike e Paralimpike 2022. Prova njëditore nisi të shtunën paradite në orën 10, e në të morën pjesë më se 2 400 veta të qarqeve të ndryshme.
Prova mbuloi 11 stërvitje në 18 skenarë të ndryshëm, duke përfshirë regjistrimin, shërbimet ushqimore e të banimit, testimin e acidit nukleik, argëtimin dhe transportin, duke dhënë një shembull të mirë për dy fshatrat e tjerë olimpikë, në distriktin Yanqing të Pekinit dhe në qytetin Zhangjiakou në provincën Hebei të Kinës Veriore.
Fshati në Pekin ka 20 ndërtesa banimi dhe 18 prej tyre do të përdoren gjatë Lojërave Dimërore Olimpike me një kapacitet strehimi prej 2200 vetash.


Çdo apartament është i gjerë me kapacitetin më të madh prej 5 vetash, me dhoma të ndara dhe të rehatshme. Në çdo dhomë ka një shtrat inteligjent që mund të kontrollojë gjendjen e gjumit.
Fshati ofron shërbimet e mensës, të blerjes dhe të ushtrimeve fizike, dhe “banorët” e tij mund t’i gëzojnë këto shërbime para e pas garave.
Sportistët me sfonde të ndryshme kulturore do të kenë një menu të madhe me gjithsej 678 ushqime dhe çdo ditë do të kenë rreth 200 zgjedhje. Gjatë Lojërave Olimpike, mensa do të ofrojë shërbime për 24 orë. 30 % e këtyre ushqimeve janë të kuzhinës kineze, duke përfshirë rosën e pjekur të Pekinit.
Zona e blerjes në fshat i ngjan një qendre tregtare me kafene, restorante, zyra postare, dyqane dhuratash, dyqane komoditeti, si dhe pika të mjekësisë kineze.
Masat parandaluese mjekësore janë vendosur dhe po testohen për të mbrojtur sigurinë e secilit. (Fani/Artan)







