Të martën paradite sipas orës së Pekinit, liderët e Kinës e të ShBA-së zhvilluan nëpërmjet videolidhjes një takim që tërhoqi vëmendje të madhe. Ky është takimi i parë midis dy liderëve pas zgjedhjes së Joe Bidenit si president i ShBA-së. Gjatë takimit, presidenti kinez Xi Jinping theksoi se nevojiten marrëdhënie të shëndetshme e të qëndrueshme kino-amerikane për të nxitur zhvillimin e të dy vendeve, për të mbrojtur një mjedis paqësor ndërkombëtar dhe për të përballuar sfidat globale si ndryshimi i klimës, pandemia e COVID-19 etj.

Dialogu i nivelit të lartë midis Kinës dhe ShBA-së është një lajm i mirë për dy vendet dhe për botën në kushtet e pandemisë dhe tregu është përgjigjur pozitivisht. Javën e kaluar, pasi media perëndimore hamendësoi se dy liderët do të zhvillojnë takim, të premten tregu amerikan i aksioneve pati një mbyllje të lartë. Pas publikimit të lajmit të takimit, nënkryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë Myron Brilliant i tha gazetës “The New York Times” se ky është një ogur i mirë: “Dy palët kanë rënë dakord për zbutjen e marrëdhënieve të tensionuara. Kjo është një fitore.”

Për disa vjet me radhë, marrëdhëniet kino-amerikane kanë tërhequr vëmendjen e gjithë globit dhe shumë njerëz kanë qenë të shqetësuar se Kina e ShBA-ja do të futen në “Luftën e Ftohtë të re”. Në fakt, kohët e fundit, marrëdhëniet dypalëshe janë zbutur shumë. Para një jave, liderët e Kinës e të ShBA-së dërguan mesazhe të ndërsjella urimi me rastin e 55-vjetorit të themelimit të Komitetit Kombëtar të Marrëdhënieve ShBA-Kinë, duke shprehur dëshirën për bashkëpunim. Kina dhe ShBA-ja bënë një deklaratë të përbashkët për forcimin e veprimeve në Konferencën e Klimës të Gllasgout. Mediat perëndimore, duke përfshirë CNN-in etj., u shprehën se kjo është “e papritur”.

Në krahasim me marrëdhëniet e ndërlikuara kino-amerikane, marrëdhëniet kino-europiane janë zhvilluar me qëndrueshmëri në përgjithësi, megjithëkëtë, kohët e fundit, ato kanë hasur disa vështirësi. Me ndërhyrjen e disa forcave armiqësore ndaj Kinës brenda Europës, Parlamenti Europian “ngriu” shqyrtimin e marrëveshjes së investimeve Kinë-Europë. Lidhur me këtë, drejtori i Misionit të Kinës në BE Zhang Ming i tha “The Financial Times” se marrëdhëniet Kinë-BE janë marrëdhënie të rëndësishme dypalëshe, të cilat nuk drejtohen kundër ndonjë pale të tretë dhe nuk duhet të jenë subjekt i ndonjë pale të tretë. Mbi bazën e modelit të përmirësimit të marrëdhënieve kino-amerikane, Brukseli nuk ka vështirësi të bëjë zgjedhjen e duhur. (Fani)