
Banka Popullore e Kinës, banka qendrore kineze, tha të hënën se ka krijuar një mjet mbështetës për pakësimin e karbonit, si pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar realizimin e objektivit të vendit për asnjanësimin e karbonit.
Sipas një deklarate të publikuar prej saj, banka do t'u ofrojë kredi me kosto të ulët institucioneve financiare me anë të këtij mjeti dhe do t'i udhëzojë ato që t'u japin këto kredi firmave në fusha kyçe të pakësimit të karbonit, me parakushtin e vendimmarrjes së pavarur dhe marrjes përsipër të rrezikut prej tyre.
Krijimi dhe vënia në funksionim e një mjeti të tillë strukturor të politikës monetare do të mbështesë zhvillimin e fushave kyçe, si energjia e pastër, ruajtja e energjisë dhe mbrojtja e mjedisit, në një "mënyrë të qëndrueshme, të rregullt, të shënjestruar dhe të drejtpërdrejtë", tha një zyrtar i bankës qendrore kineze.
Ai shtoi se më shumë fonde shoqërore mund të mobilizohen për të nxitur shkurtimet e lëshimit të karbonit.
Banka Popullore e Kinës do të miratojë "sistemin për fondet e drejtpërdrejta", që do të thotë se institucionet financiare mund të aplikojnë për financim me kosto të ulët nga banka qendrore pasi të jepen kreditë për pakësimin e karbonit.
Banka po ashtu do të ofrojë 60 për qind të principalit të kredisë së dhënë nga institucionet financiare për uljen e lëshimeve të karbonit, me një normë kredie njëvjeçare prej 1.75 për qind.
Synimi i Kinës është të arrijë kulmin e lëshimit të karbonit deri në vitin 2030 dhe asnjanënimin e karbonit brenda 2060-s. Kina ka miratuar për këtë qëllim një sërë politikash në fusha të ndryshme.
Në korrik, tregu kombëtar i karbonit filloi tregtimin në internet me pjesëmarrjen e 2 162 kompanive të prodhimit të energjisë. (Artan/Fani)







