Presidenti kinez Xi Jinping pasi hodhi votën për zgjedhjen e ligjvënësve të asamblesë popullore vendore të distriktit të tij(Foto:Xinhua)

Presidenti kinez Xi Jinping pasi hodhi votën për zgjedhjen e ligjvënësve të asamblesë popullore vendore të distriktit të tij(Foto:Xinhua)

Zgjedhja e përfaqësuesve të asambleve popullore në nivele të ndryshme është një manifestim i rëndësishëm i rolit të popullit si zot i këtij vendi, theksoi presidenti kinez Xi Jinping pasi hodhi votën në një qendër votimi për zgjedhjen e ligjvënësve të asamblesë popullore vendore të distriktit të tij.

Zgjedhja e përfaqësuesve të asambleve popullore të niveleve të ndryshme është bazë e sistemit të asamblesë popullore të Kinës, tha Xi, duke theksuar rëndësinë e ndërthurjes së zgjedhjeve, konsultimeve, vendimmarrjes, menaxhimit dhe mbikëqyrjes demokratike për të nxitur vazhdimisht demokracinë popullore në gjithë procesin.

Koncepti i “demokracisë popullore në gjithë procesin” u përdor për herë të parë nga kreu i shtetit i Kinës kur vizitoi qytetin Shangai në nëntorin e vitit 2019.

Duke nënvizuar forcimin e mbikëqyrjes në gjithë procesin e zgjedhjes, ai bëri thirrje për tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të rregullave dhe të ligjeve zgjedhore, për të garantuar që rezultatet të jenë të kënaqshme për popullin.

Gjashtë anëtarë të tjerë të Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës votuan po ashtu në qendra të ndryshme votimi në Pekin.

Përfaqësuesit, 4 898 në nivel distrikti dhe 11 137 në nivel konteje, pasi të zgjidhen, do të votojnë për organet e reja të pushtetit vendor në sesione plenare legjislative në nivel bazë të kryeqytetit.

Sipas Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse, në Kinë ka nisur zgjedhja e përfaqësuesve të asambleve popullore në nivel kontesh dhe lokalitetesh në gjysmën e parë të këtij viti. (Zhang Yan/Artan)