Foto:Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Foto:Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar e ShBA-së nxori të premten raportin për "gjetjet" lidhur me gjurmimin e koronavirusit të tipit të ri, përfundimet e të cilave u publikuan në gushtin e sivjetshëm. Në reagimin ndaj akuzave të pabaza në këtë raport, zëdhënësi i diplomacisë kineze Wang Wenbin u shpreh të dielën se, pavarësisht sa variante të raportit publikohen, kjo nuk do të ndryshojë natyrën e tij si një dokument politik me informacione të rreme. "Raporti nuk ka bazë shkencore dhe është i pabesueshëm ", vuri në dukje zëdhënësi.

Wang theksoi se në gushtin e sivjetshëm, kur shërbimet amerikane të zbulimit publikuan abstrakte të këtij raporti, pala kineze shprehu kundërshtim të fortë. Gjurmimi i burimit të koronavirusit të tipit të ri është një çështje serioze shkencore, e cila mund dhe duhet të bëhet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të shkencëtarëve globalë. "Përdorimi i sektorit të zbulimit për të hetuar këtë çështje është dëshmi e pamohueshme e politizimit të këtij problemi, pa përmendur faktin se agjencitë amerikane të zbulimit ka një histori të mbushur plot me mashtrime dhe fabrikime," tha zëdhënësi.

Sipas tij, ditët e fundit, mbi 80 vende kanë shprehur qartë nëpërmjet letrave drejtuar OBSh-së, deklaratave ose notave kundërshtimin e tyre ndaj politizimit të gjurmimit të burimit të koronavirusit të ri, duke mbështetur raportin e përbashkët të publikuar nga ekspertët e OBSh-së dhe ata kinezë. Mbi 300 parti, organizata dhe grupe studimore të më shumë se 100 vendeve e rajoneve të botës i kanë dorëzuar sekretariatit të OBSh-së një deklaratë të përbashkët lidhur me këtë. "Mirëpo pala amerikane, duke shpërfillur këta zëra të drejtësisë ndërkombëtare, vijoi manipulimin politik dhe gjurmimin nga agjencitë e zbulimit. Kjo do të dëmtojë bashkëpunimin antipandemik ndërkombëtar, duke sjellë më shumë humbje jete", vuri në dukje Wang Wenbin.

Ai e nxiti ShBA-në të ndalojë menjëherë fajësimin e të tjerëve dhe të fokusohet te lufta e brendshme e te bashkëpunimi ndërkombëtar kundër COVID-19, të ndalojë menjëherë manipulimin politik për të krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e bashkëpunimit shkencor për gjurmimin e burimit të koronavirusit të ri, si edhe të ndalojë menjëherë përbaltjen ndaj Kinës, duke iu përgjigjur shqetësimeve të komunitetit ndërkombëtar, duke pranuar vizitën e ekspertëve të OBSh-së dhe duke hapur laboratorin biologjik e bazën e eksperimenteve biologjike në Fort Detrick.

Në raportin e publikuar të premten nga agjencitë amerikane të zbulimit thuhet se të dy teoritë, përkatësisht se koronavirusi që shkaktoi pandeminë, kaloi nga kafshët te njerëzit ose doli nga laboratori, janë "të mundshme", por analistët e tyre nuk janë në gjendje të thonë se cila ka gjasa më të mëdha. (Zhang Yan/Artan)