
Presidenti Xi Jinping do të marrë pjesë në një konferencë përkujtimore për 50-vjetorin e rivendosjes së vendit të ligjshëm të Republikës Popullore të Kinës në Kombet e Bashkuara të hënën dhe do të mbajë një fjalim të rëndësishëm.
"Në konferencë do të rishikohet e kaluara e shkëlqyer e marrëdhënieve të Kinës me OKB-në dhe do të përmblidhet përvoja e Kinës në pjesëmarrjen në reformën dhe ndërtimin e qeverisjes globale, duke nisur kështu një rrugëtim të ri të bashkëpunimit Kinë-OKB," tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin në një konferencë të rregullt shtypi në Pekin.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, të dërguar të huaj dhe përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare në Kinë do të jenë të pranishëm në konferencën në Pekin ose do të marrin pjesë nëpërmjet lidhjes me video, bëri të ditur Wang.

Më 25 tetor 1971, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi në sesionin e vet të 26-të me shumicë dërrmuese Rezolutën 2758 për të rikthyer të gjitha të drejtat e Republikës Popullore të Kinës dhe për të njohur përfaqësuesit e qeverisë së Republikës Popullore të Kinës si të vetmit përfaqësues të ligjshëm të Kinës në OKB.
"Këto pesë dekada kanë dëshmuar praktikën kineze të multilateralizmit, pjesëmarrjen e plotë të Kinës në kauzën e OKB-së dhe kontributin e saj të vazhdueshëm për paqen dhe zhvillimin botëror", thuhet një letër pozicioni mbi bashkëpunimin e Kinës me OKB-në.
Dokumenti, i cili u publikua të premten, paraqet kontributet e rëndësishme të Kinës në OKB në fusha të ndryshme dhe shpjegon pozicionin dhe propozimet e Kinës për një sërë çështjesh të rëndësishme globale, duke përfshirë ndjekjen e multilateralizmit, promovimin e zhvillimit global dhe bashkëpunimin me vendet e tjera për të luftuar pandeminë e COVID-19.

Kina është financuesja e dytë më e madhe e operacioneve paqeruajtëse të OKB-së dhe një ofruese e rëndësishme e trupave paqeruajtëse, duke dërguar më shumë paqeruajtës se çdo vend tjetër anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Që nga viti 1990, Kina ka dërguar mbi 50 000 paqeruajtës në rreth 30 misione paqeruajtëse të OKB-së dhe më shumë se 2 200 paqeruajtës kinezë tani janë në detyrë në tetë zona misioni, thuhet në dokument.
Pas shpërthimit të COVID-19, Kina iu përgjigj në mënyrë aktive Planit të Përgjigjes Humanitare Globale të inicuar nga OKB-ja, duke ofruar ndihmë në materiale për mbi 150 vende e organizata ndërkombëtare dhe duke eksportuar furnizime mjekësore në mbi 200 vende dhe rajone.

Sipas Ministrisë së Jashtme, deri më 17 tetor, Kina u ka dhënë më shumë se 1.5 miliardë doza vaksinash kundër COVID-19 mbi 100 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare.
Në dokument theksohet se Kina do të vazhdojë të jetë një ndërtuese e paqes botërore, kontribuuese në zhvillimin global, mbrojtëse e rendit ndërkombëtar dhe ofruese e produkteve publike.(Artan)(Foto:Xinhua)







