
Foto nga VCG
Të premten, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin japonez Fumio Kishida.
Gjatë bisedës, Xi Jinping-u theksoi se mbrojtja dhe zhvillimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit miqësor midis Kinës e Japonisë përputhen me interesat themelore të dy vendeve e të dy popujve dhe janë në favor të paqes, stabilitetit e lulëzimit të Azisë e të botës. Pala kineze dëshiron të forcojë dialogun e bashkëpunimin me palën japoneze.
Xi Jinping-u shtoi më tej se Kina e Japonia duhet të respektojnë të gjitha parimet e përcaktuara në 4 dokumentet politike kinezo-japoneze dhe të trajtojnë siç duhet problemet e ndjeshme historike, çështjet lidhur me Tajvanin etj., duke vënë nën kontroll mosmarrëveshjet në marrëdhëniet dypalëshe. Të dy palët duhet të forcojnë shkëmbimet, të mbrojnë së bashku mjedisin e drejtë e të hapur të tregtisë e të investimeve, të zbatojnë multilateralizmin dhe të nxitin aktivisht bashkëpunimin rajonal.
Kreu i shtetit kinez e uroi Japoninë për organizimin me sukses të Lojërave Olimpike të Tokios dhe e mirëpriti pjesëmarrjen e Japonisë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit që do të zhvillohen në shkurt të vitit të ardhshëm.
Nga ana e tij, Fumio Kishida u shpreh se marrëdhëniet japono-kineze po hyjnë në erën e re. Japonia dëshiron të punojë së bashku me Kinën për të krijuar marrëdhënie dypalëshe konstruktive e të qëndrueshme. Të dy palët duhet të vënë nën kontroll mosmarrëveshjet nëpërmjet dialogut. Pala japoneze do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin ekonomik e shkëmbimet popullore me Kinën, si edhe pret zhvillimin me sukses të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit.
Dy palët ishin të një mendimi se kjo bisedë telefonike ishte në kohën e duhur dhe shumë e rëndësishme dhe ranë dakord të ruajnë shkëmbimet në mënyra të ndryshme. (Fani/Artan)







