
Takimi i diplomatit të lartë kinez Yang Jiechi me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së Jake Sullivan në Zyrih të Zvicrës tregon se lidhjet kino-amerikane kanë hyrë në fazën e rregullimit dhe zbutjes së tensioneve, sipas një eksperti kinez për marrëdhëniet Kinë-ShBA.
Takimi i së mërkurës u karakterizua nga një atmosferë mjaft e përzemërt dhe nga përpjekjet e palës amerikane për afrim dhe për të zgjidhur çështjet, tha Li Yonghui, profesor në Shkollën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë në Universitetin e Studimeve të Huaja të Pekinit.
"Pala amerikane e ka kuptuar se politikat e saj të mëparshme të ashpra, përfshirë luftën tregtare me Kinën, nuk arritën të sjellin rezultatet që donte. Kështu që ajo po kërkon të lehtësojë tensionet me Kinën," vuri në dukje Li, duke shtuar se "pala kineze e ka theksuar vazhdimisht se të dy vendet duhet të bashkëpunojnë për të arritur rezultate me dobi të ndërsjellë".

"Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, presidenti amerikan Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk po kërkonin një Luftë të Ftohtë të re. Mund të ketë qenë vetëm një gjest diplomatik dhe ai nuk do të ndryshojë rrënjësisht qëndrimin në çështjet kryesore, por këto fjalë do të ndihmojnë në krijimin e një atmosfere më të mirë," vazhdoi Li.
Në Zyrih u arrit gjithashtu konsensus mbi nevojën për të menaxhuar dhe kontrolluar siç duhet dallimet në çështjet e ndryshme, për të ruajtur stabilitetin strategjik të lidhjeve dypalëshe.
"Si dy vende kryesore, marrëdhëniet ndërmjet Kinës e ShBA-së nuk kanë lidhje vetëm me to, por edhe me paqen e zhvillimin në të gjithë botën," tha Li. "Është e rëndësishme që të dy vendet të parandalojnë që dallimet mes tyre të dalin jashtë kontrollit dhe të shkaktojnë krizë. Mendoj se kjo ishte një çështje e rëndësishme që u trajtua në takim."







