Heqja e barrikadave të mbushura me ujë jashtë selisë së qeverisë së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut(ChinaNews)

Heqja e barrikadave të mbushura me ujë jashtë selisë së qeverisë së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut(ChinaNews)

Heqja e barrikadave të mbushura me ujë jashtë selisë së qeverisë së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut simbolizon rikthimin e rendit në qytet, tha të dielën kryesekretari i rajonit John Lee Ka-chiu.

Barrikadat u hoqën të dielën dy vjet pasi u vendosën kur protestuesit sulmuan ndërtesa qeveritare dhe ndikuan rëndë mbi rendin shoqëror të qytetit.

"Ditët e fundit, banorët e Hong-Kongut po kremtojnë të gëzuar Ditën Kombëtare dhe flamurët kombëtarë e të rajonit shpalosen kudo në qytet. Kjo është në kontrast të dukshëm me protestat e vitit 2019, kur u hodhën mbi 100 bomba ‘Molotov’ dhe u vunë zjarre në mbi 68 vende, gjë që çoi në arrestimin e 300 vetave," shkroi Lee në një postim në uebsajtin e qeverisë së rajonit.

Ai vuri në dukje në vijim se, pasi "terrori i zi" u çrrënjos, qeveria rajonale e rregulloi dhe e zbukuroi qytetin, duke krijuar 300 vende pune gjatë këtij procesi. Ndërkohë, zbatimi efektiv i ligjit të sigurisë kombëtare ka ndaluar forcat e jashtme dhe shkatërruese.

Sipas tij, rreth 40 projektligje pritet të miratohen në Këshillin Legjislativ, dyfishi i numrit mesatar vjetor prej 20 projektligjesh, dhe 280 miliardë dollarë hongkongas do të përdoren për të nxitur ndërtimin, zhvillimin dhe punësimin në Hong-Kong.

Lee në postimin e vet shpreh edhe besimin për të ardhmen e Hong-Kongut brenda kornizës së Planit të 14-të Pesëvjeçar të vendit (2021-2025), projektit të ndërtimit të Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong - Makao dhe planit për zhvillimin e Zonës së Bashkëpunimit të Industrisë së Shërbimeve Moderne “Qianhai” Shenzhen – Hong-Kong.(Zhang Yan/Artan)