Foto:VCG

Foto:VCG

Nisma “Një brez, një rrugë” e Kinës është bërë një platformë e rëndësishme për bashkëpunimin global dhe ka sjellë përfitime konkrete për vendet pjesëmarrëse që kur u propozua tetë vjet më parë.

Në vitin 2013, presidenti Xi Jinping propozoi nismën “Një brez, një rrugë”. Që atëherë, me pjesëmarrjen dhe përpjekjet e përbashkëta të të gjitha palëve, kjo nismë e rëndësishme ka treguar energji dhe gjallëri të fortë, ka dhënë fryte konkrete dhe ka pasur përparim të mirë.

Gjatë tetë vjetëve të fundit, Kina ka nënshkruar më shumë se 200 dokumente për ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë" me 140 vende e 32 organizata ndërkombëtare, shumica prej të cilave përfshijnë bashkëpunimin në fushën e transportit.

Statistikat e Ministrisë së Tregtisë tregojnë se nga viti 2013 deri në vitin 2020, vëllimi i tregtisë së mallrave midis Kinës dhe vendeve pjesëmarrëse në nismën “Një brez, një rrugë” i kaloi 9.2 trilionë dollarët. Investimet e huaja të drejtpërdrejta të Kinës në vendet pjesëmarrëse arritën në 136 miliardë dollarë dhe 330 000 vende pune u krijuan në vendet përkatëse nga programet në kuadër të “Një brez, një rrugë” me investime nga kompanitë kineze.

Falë nismës “Një brez, një rrugë”, Afrika Lindore tani ka autostradën e vet të parë, Maldivet kanë ndërtuar urën e vet të parë ndërishullore, Kazakistani është i lidhur me detin, në Azinë Juglindore po ndërtohet një hekurudhë me shpejtësi të lartë dhe rajoni euroaziatik po përfiton nga shërbimi në distancën më të gjatë i trenit të mallrave.

Pavarësisht nga pandemia, investimet e drejtpërdrejta jofinanciare të Kinës në 58 vende pjesëmarrëse në “Një brez, një rrugë” u rritën me 18.3 për qind, duke kapur vlerën 17.79 miliardë dollarë vjet, dhe asnjë nga projektet kryesore të përfshira në “Një brez, një rrugë” nuk është pezulluar për shkak të COVID-19, sipas autoriteteve kineze.

Foto:VCG

Foto:VCG

“Një brez, një rrugë” po kthehet gjithashtu në një model në fushën e shëndetësisë për mbrojtjen e sigurisë dhe mirëqenies së njerëzve, pasi vendet pjesëmarrëse në këtë nismë e kanë ndihmuar njëri-tjetrin për të zbutur në mënyrë efektive mungesën e furnizimeve mjekësore gjatë pandemisë.

Deri në majin e sivjetshëm, Kina ka dhënë ndihmë kundër pandemisë për më shumë se 120 partnerë të “Një brez, një rrugë” dhe ka ofruar vaksina për më shumë se 90 prej tyre. Treni i mallrave Kinë-Evropë, një pjesë e rëndësishme e nismës, transportoi gjithsej 11.05 milion materiale mjekësore deri në fund të marsit, sipas Ministrisë së Jashtme.

Duke folur përmes videolidhjes në ceremoninë e hapjes së mbledhjes vjetore të Forumit të Boaos për Azinë në prill, Xi theksoi se Kina do të vazhdojë me palët e tjera bashkëpunimin me cilësi të lartë në kuadër të “Një brez, një rrugë”.

"Ne do të ndjekim parimet e konsultimeve të gjera, kontributit të përbashkët dhe përfitimeve të ndërsjella, dhe do të mbrojmë filozofinë e bashkëpunimit të hapur, të gjelbër e të pastër, në përpjekje për ta bërë bashkëpunimin në kuadër të ‘Një brez, një rrugë’ të standardit të lartë, të përqendruar te njerëzit dhe të qëndrueshëm," tha kreu i shtetit i Kinës.(Artan)