Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) mbajti një mbledhje të Bordit Ekzekutiv të kryesuar nga kryetari Thomas Bach, në prani të kryetarit të Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar (KPN) Andrew Parsons. Komiteti Organizator i “Pekin 2022” paraqiti masat kryesore kundër COVID-19 për Lojërat Olimpike Dimërore dhe Lojërat Paralimpike Dimërore të Pekinit 2022.

Duke u përballur me pasigurinë e gjendjes globale të COVID-19, Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit 2022 (“Pekin 2022”), KON-i dhe KPN-ja po punojnë nga afër së bashku për të trajtuar situatën dhe për të informuar palët e interesuara. Për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e sportistëve dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë, “Pekin 2022” gjithmonë i ka dhënë përparësi parandalimit dhe kontrollit të COVID-19, që Lojërat të mbahen të sigurta siç është planifikuar.

Të gjithë sportistët dhe pjesëmarrësit e Lojërave që janë plotësisht të vaksinuar do të hyjnë në sistemin e menaxhimit me rreth të mbyllur pas mbërritjes, kurse të pavaksinuarit plotësisht duhet të bëjnë një karantinë 21-ditore pas mbërritjes në Pekin. Të gjitha vaksinat e njohura nga OBSh-ja ose organizatat ndërkombëtare përkatëse, ose të miratuara zyrtarisht nga vendet a rajonet e interesuara, do të pranohen.

Duke pasur parasysh situatën e rëndë dhe të ndërlikuar të COVID-19 në nivel global, për të parandaluar një përhapje të mundshme të virusit dhe për të garantuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në Lojëra, asnjë biletë nuk do të shitet për shikuesit jashtë pjesës kontinentale të Kinës. Biletat do të shiten vetëm për ata që banojnë në pjesën kontinentale që plotësojnë kërkesat e masave kundër COVID-19.

Përgatitjet për Olimpiadën dhe Paralimpiadën Dimërore të Pekinit 2022 vijojnë në mënyrë të rregullt e të qëndrueshme. Deri në fund të vitit 2020, përfundoi ndërtimi i të gjitha objekteve të ndeshjeve e garave sipas afatit, ndërsa të gjitha objektet që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me konkurrimin duhet të ndërtohen sivjet.(Artan/Fani)