
Investimet e drejtpërdrejta të Kinës jashtë vendit u rritën me 153.71 miliardë dollarë në vitin 2020, duke zënë për herë të parë vendin e parë në shkallë globale, sipas një raporti të publikuar të mërkurën.
Investimet e drejtpërdrejta kineze jashtë vendit vjet patën një rritje vjetore prej 12.3 për qind, nga një tkurrje prej 4.3 për qind në vitin 2019.
Vlera e investimeve të drejtpërdrejta të Kinës jashtë vendit arriti në 2.58 trilionë dollarë në fund të vitit 2020, duke u renditur në vend të tretë pas Shteteve të Bashkuara (8.13 trilionë dollarë) dhe Holandës (3.8 trilionë dollarë), thuhet në Komunikatën Statistikore Vjetore për Investimet e Drejtpërdrejta Kineze jashtë Vendit për vitin 2020, të publikuar bashkërisht nga Ministria e Tregtisë, Zyra Kombëtare e Statistikave dhe Administrata Shtetërore e Këmbimit Valutor.
Ndikimi i Kinës në investimet e huaja të drejtpërdrejta në shkallë globale vazhdon të zgjerohet. Fluksi e investimeve të drejtpërdrejta të Kinës jashtë vendit ka përbërë më shumë se 10 për qind të vëllimit të përgjithshëm global për pesë vjet rresht, thuhet në raport.
Deri në fund të vitit të kaluar, 280 000 investitorë kinezë investuan në 45 000 sipërmarrje në 189 vende, me një vlerë të përgjithshme asetesh prej 7.9 trilionë dollarë.
Vjet, investimet e drejtpërdrejta të Kinës jashtë vendit mbuluan 18 sektorë industrialë. Katër industritë kryesore, duke përfshirë dhënien me qira dhe shërbimet tregtare, prodhimin, shitjen me shumicë e pakicë dhe financat, ishin destinacionet për rreth 70 për qind të fluksit të investimeve të huaja të drejtpërdrejta.
Vitin e kaluar, ndërmarrjet me investime kineze arritën të ardhura nga shitja prej 2.4 trilion dollarë, kontribuan me një total prej 44.5 miliardë dollarësh në të ardhurat fiskale të vendeve pritëse dhe punësuan 2.19 milionë të huaj, duke zënë mbi 60 për qind të numrit të përgjithshëm të punonjësve të ndërmarrjeve kineze jashtë vendit, thuhet në raport.(Artan/Fani)







