Kina dhe një grup vendesh të tjera mbështesin heqjen dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale për vaksinat e COVID-19 dhe u bëjnë thirrje vendeve përkatëse të marrin pjesë aktive në bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë drejtim, tha të martën një i dërguar kinez.

Duke folur në emër të një grupi vendesh në sesionin e 48-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, Chen Xu, kreu i Misionit Kinez në Zyrën e OKB -së në Gjenevë, gjithashtu u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare dhe palëve të tjera të interesuara që të rritin prodhimin e vaksinave dhe të përmirësojnë aftësitë prodhuese të vendeve në zhvillim me anë të eksportit, dhurimeve, studimit e prodhimit të përbashkët, si edhe transferimit të njohurive.

"Pandemia e COVID-19 dhe shfaqja e varianteve të ndryshme kanë shkaktuar ndikime të rënda negative mbi zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në të gjitha vendet, veçanërisht në vendet në zhvillim, dhe kanë kërcënuar shëndetin e njerëzve," vuri në dukje Chen.

Duke u shprehur se vaksinimi është një mjet i fuqishëm për të luftuar pandeminë, Chen theksoi se shpërndarja e pabarabartë dhe vaksinimi i pabalancuar mbeten sfida, dhe hendeku në imunizim duhet të trajtohet urgjentisht.

"Ne mbështesim thirrjen e Kombeve të Bashkuara për shpërndarje të drejtë dhe të barabartë dhe qasje në vaksinat COVID-19 në nivel global, dhe i nxisim të gjitha vendet që t'i vënë të drejtat e jetës dhe shëndetit para interesave të tjera, si ato ekonomike, politike etj.," tha ai.(Artan/Fani)