
foto nga CGTN
Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi i bëri thirrje të hënën ShBA-së të ndërmarrë veprime konkrete për ta kthyer politikën e jashtme ndaj Kinës në një orbitë të arsyeshme dhe pragmatike, teksa pala amerikane ka deklaruar se nuk dëshiron një kundërvënie a një Luftë të Ftohtë me Kinën.
Duke e nxitur palën amerikane të përmirësojë bashkërisht marrëdhëniet dypalëshe, Wang ritheksoi se Kina dëshiron një afrim të qëndrimeve me ShBA-në, nëse kjo e fundit do të mbajë premtimet.
Wang i tha këto gjatë një takimi virtual me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, ku u diskutua për një gamë të gjerë temash, duke përfshirë marrëdhëniet kino-amerikane.
Të drejtat dhe gabimet në marrëdhëniet dypalëshe janë të dukshme, tha Wang. Përballë shtypjes dhe shpifjeve nga pala amerikane, Kina nuk ka zgjedhje tjetër, përveçse të luftojë për sovranitetin, dinjitetin dhe të drejtat e zhvillimit të vet kombëtar.

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi/ foto nga MPJ e Kinës
Gjatë takimit, ministri i Jashtëm kinez ritheksoi angazhimin e vendit të tij ndaj Kartës së OKB-së.
Duke vënë dukje se sivjet është 50-vjetori i rikthimit të vendit të ligjshëm të Republikës Popullore të Kinës në OKB, Wang u shpreh se Kina, si një përkrahëse e vendosur dhe kontribuuese e kauzës së OKB-së, do të vazhdojë ta mbrojë Kartën e OKB-së, sistemin ndërkombëtar me OKB-në në qendër dhe rolin e OKB-së në çështjet ndërkombëtare.
Wang shprehu kundërshtimin e Kinës për çdo veprim që shkakton ndarjen dhe mendësinë e Luftës së Ftohtë. Si ndërtuese e paqes botërore, kontribuuese e zhvillimit global, mbrojtëse e rendit ndërkombëtar dhe ofruese e produkteve publike, Kina do të vazhdojë të japë kontribut për paqen dhe zhvillimin e njerëzimit, tha kreu i diplomacisë kineze.
Guterresi shprehu falënderime për kontributin e Kinës në OKB, përfshirë luftën antipandemike, çështjet e paqes e të sigurisë dhe paqeruajtjen. Ai theksoi se OKB-ja dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha si zhvillimi, klima, biodiversiteti, paqja e siguria dhe të drejtat e njeriut. (Wang Lei/ Artan)







