
Foto nga VCG
Forca ekonomike e Kinës është rritur ndjeshëm gjatë 70 vjetëve të fundit, me një PBB që u rrit nga 67.9 miliardë juanë (10.5 miliardë dollarë) në vitin 1952 në 101.6 trilionë juanë vjet, sipas librit të bardhë "Udhëtimi epik i Kinës nga varfëria në begati" i publikuar të martën.
Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, përbën mbi 17 për qind të PBB-së globale. Në 11 vjetët e fundit, Kina ka qenë vendi më i madh prodhues në botë, me mbi 220 produkte kryesore industriale.
Kina gjithashtu renditet e para në botë për sa u përket tregtisë së mallrave dhe rezervës valutore, dhe e dyta në tregtinë e shërbimeve dhe tregun e konsumit.
"Kina ka arritur një transformim historik nga një vend me të ardhura të ulëta në një vend me të ardhura të mesme, duke pasur një rritje të PBB-së për frymë nga më pak se 100 dollarë më 1952 në mbi 10 mijë dollarë në vitin 2020," vë në dukje libri i bardhë.
"Në Kinë ka mbi 400 milionë njerëz të shtresës së mesme, dhe ky numër vazhdon të shtohet, duke ofruar një treg gjigant që po rritet më shpejt se çdo në vend tjetër të botës," thuhet në këtë dokument.
Vitin e kaluar Kina ishte vendi i parë që rihapi ekonominë pasi vuri nën kontroll COVID-19 dhe që shënoi rritje ekonomike, çka pasqyron forcën e ekonomisë kineze.
Numri i të punësuarve në Kinë është rritur nga 180 milionë në vitin 1949 në 750 milionë vjet, dhe tregu i punës mbetet i qëndrueshëm, sipas letrës së bardhë.
Dekada më parë, fermerët përbënin një pjesë të madhe të popullsisë. Por struktura e punësimit ka ndryshuar dhe 47.7 për qind e fuqisë punëtore tani është e punësuar në sektorin tretësor, ndërsa 61.6 për qind punon në qytete. (Artan/Fani)







