Ekonomia digjitale është një përparësi në strategjitë e zhvillimit të vendeve në tërë botën, sipas një raporti mbi zhvillimin botëror të internetit të publikuar të dielën në Konferencën Botërore të Internetit (WIC) të vitit 2021, të zhvilluar në Wuzhen të provincës Zhejiang të Kinës Lindore.

Prodhimi ekonomik global ra me 4.3 për qind në vitin 2020 për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe vendet e ndryshme kanë zbatuar legjislacionin digjital për të promovuar zhvillimin e standardizuar dhe novator të ekonomisë digjitale, vihet në dukje në raport.

Ekonomia digjitale është bërë gjithashtu një motor për rritjen ekonomike të Kinës, sipas një raporti tjetër për zhvillimin e internetit në Kinë të publikuar në të njëjtën kohë.

Ekonomia digjitale në Kinë arriti vlerën 39.2 trilionë juanë (rreth 6.07 trilionë dollarë) në vitin 2020, duke zënë 38.6 për qind të PBB-së së vendit, me një rritje vjetore 9.7 për qind.

Vetëm vlera e shtuar e ekonomisë digjitale në Pekin arriti 1.44 trilionë juanë vitin e kaluar, duke zënë 40 për qind të PBB -së së kryeqytetit.

Kina ka ndërtuar rrjetin e pavarur 5G dhe rrjetin e fibrave optikë më të madh në botë. Deri në qershorin e sivjetshëm në Kinë kishte 961 000 stacione bazë 5G, që përbënin më shumë se 70 për qind të numrit të përgjithshëm botëror, duke arritur mbulimin e plotë të të tëra qyteteve në nivel prefekture e më lart, sipas raportit.

Në raportin global, ShBA-ja dhe Kina kryesojnë renditjen e përgjithshme, të ndjekura nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Kanadaja. Zhvillimi i internetit në vendet evropiane është relativisht i balancuar, ndërsa ka pasur përmirësime edhe në Amerikën Latine dhe Afrikën Nënsahariane.