Ministria e Jashtme e Kinës publikoi të premten një dokument me fakte mbi ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në punët e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut dhe për mënyrën se si ShBA-ja mbështet forcat antikineze në Hong-Kong.

Dokumenti hedh dritë mbi pesë aspekte të ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara, përfshirë miratimin e akteve lidhur me Hong-Kongun, vendosjen e sanksioneve në përpjekje për të penguar zbatimin e ligjit të sigurisë kombëtare në Hong-Kong, akuzat e pabaza mbi çështjet e Hong-Kongut, mbrojtjen dhe mbështetjen e forcave antikineze dhe bashkëpunimin me disa vende për të ushtruar trysni mbi Hong-Kongun.

Duke renditur faktet për akuzat e pathemelta lidhur me çështjet e Hong-Kongut dhe veprimet e zbatimit të ligjit të ndërmarra nga policia e Hong-Kongut, në dokument vihet në dukje se ato janë përpjekje për të minuar përparimin dhe qëndrueshmërinë e Hong-Kongut.

Sa i përket mbrojtjes dhe mbështetjes së atyre që janë kundër Kinës dhe përpiqen të destabilizojnë Hong-Kongun, në dokument thuhet se ShBA-ja po u siguron atyre platforma për të propaganduar "pavarësinë e Hong-Kongut" dhe për të përhapur dezinformacion politik.

ShBA-ja i përligj veprimet e këtyre shkelësve të ligjit duke shtrembëruar faktet dhe duke mashtruar publikun.

Në dokument përmendet edhe fakti që Shtetet e Bashkuara janë bashkuar me aleatët e vet për të ndërhyrë në çështjet e Hong-Kongut dhe për të bërë komente të papërgjegjshme me mjete të tilla si deklaratat e përbashkëta.

Veprime të tilla kanë si qëllim të përbaltin politikën e qeverisë qendrore për Hong-Kongun, të cenojnë parimin "Një vend, dy sisteme" dhe të kufizojnë të drejtat dhe liritë e banorëve të Hong-Kongut, thuhet në dokumentin e fakteve të Ministrisë së Jashtme kineze.

Ndërkohë, po në Hong-Kong, të hënën e kësaj jave u mbyllën zgjedhjet e rregullta për nënsektorin e Komisionit Zgjedhor për vitin 2021. Këto janë zgjedhjet e para që prej përmirësimeve të bëra në sistemin zgjedhor të Hong-Kongut në fillim të këtij viti.

Komisioni Zgjedhor ka funksione të rëndësishme sipas sistemit zgjedhor të përmirësuar të Rajonit të Posaçëm Administrativ, duke përfshirë emërimin e kandidatëve për zgjedhjet kryesore ekzekutive, zgjedhjen e kryeekzekutivit të emëruar, propozimin e kandidatëve për zgjedhjet e Këshillit Legjislativ dhe zgjedhjen e 40 anëtarëve të Këshillit Legjislativ.

Pas përfundimit të votimeve, kryeekzekutivja e Rajonit të Posaçëm Adminsitrativ të Hong-Kongut Carrie Lam theksoi se këto zgjedhje kanë rëndësi të madhe.

Zgjedhjet tregojnë se Hong-Kongu zbaton parimin e "qeverisjes së Hong-Kongut prej patriotëve", mbron sovranitetin kombëtar, sigurinë e interesat e zhvillimit dhe siguron zbatimin e suksesshëm të parimit "Një vend, dy sisteme", tha ajo.

Mandati pesëvjeçar i Komisionit të ri Zgjedhor do të fillojë më 22 tetor të këtij viti dhe do të përfundojë më 21 tetor 2026.