Të premten, komandanti i Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane Kenneth McKenzie pranoi faktin se sulmi me dron i forcave amerikane më 29 gusht në Afganistan nuk goditi terroristët, por shkaktoi vdekjen e 10 civilëve, duke përfshirë 7 fëmijë. McKenzie shprehu keqardhje dhe kërkoi të falur për këtë incident, duke marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë.

Të shtunën, korrespondenti i Grupit Mediatik të Kinës (CMG) në Kabul vizitoi përsëri shtëpinë që u godit nga sulmi. Brenda oborrit nuk kishte asnjë njeri dhe, megjithëse kanë kaluar 20 ditë, në vendngjarje janë ende të qarta gjurmët e shpërthimit. Fqinjët i treguan korrespondentit se, pas sulmit, banorët u larguan nga shtëpia. Pas kontaktimit me telefon, vëllai i vogël i viktimës Zemari Ahmadi, Romale, u kthye posaçërisht në shtëpi për të dhënë intervistë.

Sipas Romales, shtëpia e bombarduar ishte banesa e përbashkët e familjeve të Zemari Ahmadit dhe të tre vëllezërve të tij. Gjatë bombardimit, vdiqën Zemari Ahmadi dhe 3 djem të tij. Zemari ishte shtylla e familjes dhe rriti vëllezërit dhe motrat e tij më të vegjël. Romale tha se ata nuk kanë para ta rregullojnë shtëpinë dhe janë të detyruar të jetojnë përkohësisht në shtëpinë e motrës.

Nipi i viktimës, Massoud, u shpreh se fajtorët nuk duhet t’i shpëtojnë ndëshkimit të ligjit. Nën pretekstin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ShBA-ja përdor makinerinë çnjerëzore të luftës, dhe ky veprim është një krim flagrant sipas ligjit ndërkombëtar.

“Nëqoftëse një shtetasi amerikan do t’i ndodhte një gjë e tillë, qeveria amerikane sigurisht do të bënte shumë hetime. Tani dhjetë pjesëtarë të një familjeje afgane u vranë. Tërë bota duhet ta hetojë këtë incident,” tha Massoud. (Fani/Artan)