Ekspozita e 1-rë e Kulturës dhe Turizmit e Kinës do të mbahet në Wuhan, kryeqendrën e provincës Hubei të Kinës Qendrore në nëntor, njoftoi Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit gjatë një konference shtypi në Pekin të shtunën.

Si një hap i madh për të nxitur zhvillimin me cilësi të lartë të rajonit qendror të Kinës, ekspozita e Wuhan-it pritet të nxisë rimëkëmbjen pas epidemisë të sektorëve të turizmit dhe kulturës.

Ekspozita do të përmbajë katër veprimtari kryesore, duke përfshirë një promovim të qytetit, një forum dhe një konferencë tregtie e investimesh.

Sektori kulturor dhe ai turistik i Kinës po rimëkëmben dhe po marrin hov që nga fillimi i këtij viti, theksoi Wang Xiaofeng, një zyrtar në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.

Statistikat tregojnë se të ardhurat e përgjithshme të 63 000 ndërmarrjeve të mëdha kulturore në mbarë vendin arritën në 5.44 trilionë juanë (843 miliardë dollarë) në gjysmën e parë të këtij viti, 22 për qind më shumë se në njëjtën periudhë të vitit 2019, tha Wang.

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, u bënë rreth 1.87 miliardë udhëtime të brendshme dhe të ardhurat e përgjithshme të tregut të brendshëm turistik i kaluan 1.6 trilionë juanët. Të dy shifrat përbëjnë rreth 60 për qind të nivelit të së njëjtës periudhë të vitit 2019, shtoi ai. (Foto nga VCG)