Kryediplomati kinez Wang Yi(CGTN)

Kryediplomati kinez Wang Yi(CGTN)

Vendet fqinje të Afganistanit, përfshirë Kinën, Pakistanin, Iranin, Taxhikistanin, Uzbekistanin dhe Turkmenistanin, zhvilluan të mërkurën takimin e parë të ministrave të jashtëm përmes lidhjes me video, duke sinjalizuar krijimin e mekanizmit të bashkërendimit dhe bashkëpunimit midis vendeve fqinje të Afganistanit.

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi mori pjesë në këtë takim, i cili u kryesua nga ministri i Jashtëm i Pakistanit Shah Mahmood Qureshi. Ishin të pranishëm gjithashtu ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir Abdollahian, ministri i Jashtëm i Taxhikistanit Sirojiddin Muhriddin, ministri i Jashtëm i Uzbekistanit Abdulaziz Kamilov dhe zv.ministri i Jashtëm turkmenistanas Vepa Khadzhiev.

Wang theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj duhet të nxjerrin mësime.

"Ne u bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre që të nxjerrin mësime të thella dhe të marrin përgjegjësitë e duhura. Mund të thuhet se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë krijues të çështjes afgane. Në 20 vitet e fundit, forcat terroriste në Afganistan nuk janë eliminuar, por janë fuqizuar, dhe populli afgan ka vuajtur nga varfëria e vështirësitë në vend që të arrijë zhvillimin dhe dinjitetin. ShBA-ja është më e detyruar se çdo vend tjetër për të ofruar ndihmë ekonomike, jetese dhe humanitare për popullin afgan," tha Wang.

Mbledhje e ministrave të Jashtëm të vendeve fqinje të Afganistanit(CGTN)

Mbledhje e ministrave të Jashtëm të vendeve fqinje të Afganistanit(CGTN)

Talibanët kanë bërë kohët e fundit deklarata pozitive për çështje të tilla si formimi i një qeverie, luftimi i terrorizmit dhe miqësia me fqinjët e tij. Deklarata të tilla janë të mirëpritura, vuri në dukje kryediplomati kinez, duke shtuar se kyçi është kthimi i tyre në veprime konkrete.

"Ne duhet t’i udhëzojmë dhe nxisim talibanët afganë të bashkohen me të gjitha grupet dhe fraksionet etnike, të ndërtojnë një strukturë të gjerë e gjithëpërfshirëse politike, të ndjekin politika të moderuara e të matura të brendshme dhe të jashtme, të ndahen qartë nga forcat terroriste dhe të krijojnë e të zhvillojnë marrëdhënie miqësore me vendet e tjera," tha Wang.

Ai propozoi gjashtë aspekte për bashkërendimin dhe bashkëpunimin në fazën aktuale, duke përfshirë ndihmën ndaj Afganistanit për të forcuar parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, mbajtjen e portave të hapura, forcimin e menaxhimit të refugjatëve dhe emigrantëve, ofrimin e ndihmës humanitare sa më shpejt të jetë e mundur, thellimin e bashkëpunimit kundër terrorizmit dhe bashkëpunimin kundër drogës.

Wang njoftoi se Kina ka vendosur të ofrojë urgjentisht grurë, furnizime dimërore dhe barna për Afganistanin, me një vlerë 30.96 milion dollarë amerikanë. Kina ka vendosur gjithashtu të dhurojë tre milionë doza vaksinash për afganët në kontingjentin e parë të ndihmës.

Wang gjithashtu sugjeroi që vendet fqinje të Afganistanit të mbajnë rihapjen e kufirit, të rrisin imigracionin dhe kontrollin e refugjatëve, të ofrojnë ndihmë humanitare sa më shpejt të jetë e mundur, të thellojnë bashkëpunimin kundër terrorizmit dhe sigurisë dhe të bashkëpunojnë në luftën kundër drogës.

Pjesëmarrësit vlerësuan pozitivisht një varg konsensusesh të arritura në këtë takim dhe ranë dakord të institucionalizojnë takimin e ministrave të jashtëm të vendeve fqinje të Afganistanit.(Artan)