Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) dhe Grupi Mediatik i Kinës (CMG) shpallën bashkërisht që të dyja palët kanë rënë dakord për të drejtën ekskluzive për transmetimin e lojërave olimpike në pjesën kontinentale të Kinës dhe Makao në periudhën e viteve 2026 deri në 2032.

Aktivitetet olimpike në këtë periudhë përfshijnë Lojërat e 25-ta Olimpike Dimërore që do të zhvillohen në Milano e Cortina d'Ampezzo (Kortina d’Ampeco) në vitin 2026, Lojërat e 34-ta Olimpike Verore që do të zhvillohen në Los Anxhelos më 2028, si edhe Lojërat e 26-ta Olimpike Dimërore 2030 dhe Lojërat e 35-ta Olimpike Verore që do të zhvillohen në Brisban në vitin 2032.

Presidenti i KON-it Thomas Bach dhe drejtori i CMG-së Shen Haixiong nënshkruan në internet marrëveshjen e bashkëpunimit.

Sipas marrëveshjes, CMG-ja zotëron në mënyrë ekskluzive të drejtat e transmetimit në të gjitha platformat dhe të drejtat e shitjes për mediat në pjesën kontinentale të Kinës dhe Makao, duke përfshirë televizionin me qark të hapur, televizionin digjital, internetin dhe pajisjet e lëvizshme. Në këtë marrëveshje, janë përfshirë edhe të drejtat e transmetimit të të gjitha lojërave olimpike për të rinjtë para vitit 2032.

Bach u shpreh që marrëveshja e re do të thotë që deri në vitin 2032 sportdashësit kinezë mund të vazhdojnë të ndjekin transmetimet e CMG-së për olimpiadat. Ai shprehu urime që njoftimet dhe transmetimet e CMG-së mbi “Tokio 2020” patën sukses të plotë dhe qindra milionë njerëz kanë ndjekur lojërat olimpike.

Bach u shpreh gjithashtu që KON-i do të ndajë mbi 90% të të ardhurave për sportistët dhe organizatat sportive të vendeve të ndryshme. Në këtë periudhë krize, përkrahja dhe bashkimi janë më të rëndësishme se kurrë më parë.

Shen Haixiong u shpreh që CMG-ja dhe KON-i kanë një bashkëpunim të mirë afatgjatë. Arritja e bashkëpunimit për periudhën e ardhshme jo vetëm do të vazhdojë partneritetin dypalësh, por edhe do të krijojë një bazë të mirë për përhapjen e gjerë, të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të lojërave olimpike. (Jianglei/Artan)