Foto nga VCG

Treguesi zyrtar i çmimeve të prodhimit (PPI) i Kinës u rrit me 9.5 për qind në gusht në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, për shkak të rritjes së çmimeve të qymyrgurit, kimikateve dhe produkteve të çelikut, treguan të enjten të dhënat nga Zyra Kombëtare e Statistikave.

Rritja e PPI-së ishte 0.5 pikë përqindjeje më e lartë se në korrik dhe e kaloi parashikimin prej 9.0 për qind të bërë në një sondazh të “Reuters”-it.

Çmimet në industrinë e nxjerrjes dhe pastrimit të qymyrgurit, të lëndëve të para kimike dhe të prodhimit të produkteve kimike, si edhe në industrinë e metalurgjisë me ngjyrë, u rritën përkatësisht me 11.4, 2.7 dhe 1.1 pikë përqindjeje. Kjo ishte arsyeja kryesore për rritjen e PPI-së, tha Dong Lijuan, një statistikan i lartë nga Zyra Kombëtare e Statistikave.

Treguesi i çmimeve të konsumit (CPI), një matës kryesor i inflacionit, u rrit me 0.8 për qind në gusht, nga 1.0 për qind që ishte rritja e korrikut.

“Reuters” dhe “Bloomberg” kishin parashikuar që CPI e gushtit do të ishte 1.0 për qind.

Çmimet e ushqimeve në gusht ranë me 4.1 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vjetshëm, ndër të cilat çmimi i mishit të derrit ra me 44.9 për qind. Çmimet e produkteve joushqimore u rritën me 1.9 për qind, duke kontribuar në rritjen e CPI-së me rreth 1.58 pikë përqindjeje, tha Dong.

Çmimet e benzinës dhe naftës u rritën përkatësisht me 22.7 dhe 25.2 për qind. Çmimet e biletave të udhëtimeve ajrore dhe qëndrimit në hotele u shtuan përkatësisht me 31.6 dhe 2.8 për qind, por normat e rritjes ranë.