Akademia e Shkencave e Kinës ka hapur qendrën e studimeve për përdorimin dhe ndarjen e të dhënave të vrojtimit të tokës, për të ndihmuar në realizimin e objektivave për zhvillim të vazhdueshëm të OKB-së.

Kjo qendër do të mbledhë të dhënat nga satelitët, avionët, dronat dhe sensorët tokësorë që janë instaluar për të monitoruar mjedisin, zhvillimin urban e rural-urban, sigurinë ushqimore dhe dekarbonizimin e energjisë.

“Ne do të krijojmë sistemet e monitorimit dhe vlerësimit për këta sektorë dhe do të ndajmë të dhënat përkatëse me organizatat e OKB-së dhe vendet në zhvillim,” thotë Guo Huadong, drejtori i Qendrës Ndërkombëtare të Studimit të të Dhënave të Mëdha për Objektivat e Zhvillimit të Vazhdueshëm.

Zv.sekretarja e përgjithshme e OKB-së dhe drejtorja e Programit të OKB-së për Mjedisin, Inger Andersen, thotë që ajo sheh me kënaqësi që kjo qendër po bashkëpunon me të tjerat për të plotësuar hendekun e të dhënave për zhvillimin e vazhdueshëm dhe për të përmirësuar efektivitetin e përdorimit të të dhënave.

“Të dhënat që kanë lidhje me mjedisin dhe treguesit përkatës janë shumë të rëndësishme që të kuptojmë se cilat nga veprimet tona po përmirësojnë mjedisin dhe cilat po e përkeqësojnë më tej. Investimet në të dhënat e mëdha mbi mjedisin nuk janë një zgjedhje, por janë absolutisht të nevojshme,” theksoi ajo.