
Deklarata e ambasadës së Kinës në ShBA
Kina kundërshton me forcë raportin e publikuar nga agjencitë amerikane të zbulimit mbi gjurmimin e origjinës së COVID-19, ku akuzohet Kina për "pengimin e hetimeve ndërkombëtare" dhe "mospranimin e ndarjes së informacionit dhe fajësimin e vendeve të tjera", tha ambasada kineze në Shtetet e Bashkuara në një deklaratë të shtunën.
Presidenti amerikan Joe Biden u kishte dhënë agjencive të zbulimit 90 ditë kohë për të hetuar lidhur me origjinën e COVID-19. Raporti u paraqit për publikun të premten përmes një përmbledhjeje jopërfundimtare, të paklasifikuar.

Ekspertët e OBSh-së publikojnë rezultatin e studimeve në Wuhan, shkurt 2021(VCG)
Raporti është një trillim nga agjencitë amerikane të zbulimit dhe nuk ka bazë shkencore e besueshmëri, thekson deklarata, duke shtuar se gjurmimi i virusit të COVID-19 është një çështje komplekse shkencore që duhet të bëhet vetëm nga shkencëtarët, jo ekspertët e shërbimeve të fshehta.
Deklarata kujton "kryeveprat" e agjencive amerikane të zbulimit gjatë historisë, duke përfshirë paraqitjen e një provëze me pluhur larës si dëshmi për zotërimin e armëve të shkatërrimit në masë prej Irakut dhe vlerësimin e një videoje nga "Helmetat e Bardha" si dëshmi për një sulm me armë kimike në Siri.
Në deklaratë ritheksohet se Kina ka mbajtur një qëndrim të hapur, transparent dhe të përgjegjshëm që nga shpërthimi i COVID-19, duke publikuar informacion, duke ndarë renditjen e gjenomit të virusit dhe duke kryer bashkëpunim ndërkombëtar për të luftuar sëmundjen, të gjitha këto në kohën më të hershme të mundshme.

VCG
"Ne ishim të parët që bashkëpunuam me OBSh-në për gjurmimin e origjinës globale dhe kemi ftuar ekspertët e OBSh-së që të kryejnë hetime dy herë në Kinë. Ne ishim plotësisht të hapur, transparentë dhe bashkëpunues kur ekspertët ishin në Kinë. Ata vizituan çdo vend që kishin në listë për të vizituar, takuan çdo individ që kërkuan të takonin dhe morën të gjitha të dhënat që dëshironin," thuhet në deklaratë.
Raporti nga agjencitë amerikane të zbulimit tregon se ShBA-ja është e vendosur të ndjekë rrugën e gabuar të manipulimit politik, tha ambasada. Ajo e akuzoi ShBA-në se i shmanget gjurmimit të origjinës. "Nëse pala amerikane është ‘transparente dhe e përgjegjshme’, ajo duhet të bëjë publike dhe të shqyrtojë të dhënat e rasteve të hershme në ShBA."
Deklarata thotë që në të paktën pesë shtete amerikane, ka pasur raste infeksionesh para se të njoftohej rasti i parë në ShBA.
"Nëse ShBA-ja këmbëngul në teorinë e daljes nga laboratori, a nuk duhet të ftojë ekspertë të OBSh-së në ‘Fort-Detrik’ dhe Universitetin e Karolinës së Veriut për hetim?", pyetet në deklaratë.

VCG
Ambasada vuri në dukje se një sëmundje me simptoma të ngjashme me COVID-19 shpërtheu në ShBA pas mbylljes së ‘Fort-Detrikut’ në vitin 2019 për shkak të incidenteve serioze të sigurisë, duke shtuar se ekipi i profesorit Ralph Baric në Universitetin e Karolinës së Veriut ka aftësi të jashtëzakonshme në sintetizimin dhe modifikimin e koronavirusit.
Ambasada i bëri thirrje ShBA-së të zbulojë së pari se çfarë ka ndodhur në laboratorët amerikanë, në vend që “të hedhë baltë mbi të tjerët".
Deklarata vë në dukje se faza e dytë e studimit të origjinës së koronavirusit duhet të jetë një zgjerim gjithëpërfshirës i fazës së parë dhe duhet kryer në shumë vende për të gjetur të vërtetën.
Siç mësohet, agjencitë amerikane të zbulimit nuk ishin në gjendje të bënin një vlerësim përfundimtar në lidhje me origjinën e COVID-19 pas një hetimi 90-ditor.(Artan)







