

Foto nga VCG
Nie Haisheng ka shprehur mendimet e tij për misionin e vet të tretë hapësinor, pasi ka vendosur një rekord të ri për kohën e kaluar në hapësirë nga një astronaut kinez.
Komandanti i ekuipazhit me tre astronautë të misionit “Shenzhou-12” vuri në dukje përparimet inxhinierike që ka bërë agjencia hapësinore kineze për të siguruar punën e tyre në hapësirë.
"Instalimet dhe pajisjet tona janë më të përparuarat dhe plotësisht funksionale, me kapacitet të përmirësuar për të mbështetur punën dhe jetën e astronautëve në hapësirë. Ne jemi në gjendje të qëndrojmë këtu për tre muaj dhe madje edhe më gjatë në të ardhmen, në vend të vetëm pesë ose 15 ditëve, " u shpreh Nie.
Ai është një nga astronautët kinezë me më shumë përvojë, që ka qëndruar më shumë se 470 orë - ose 19 ditë - në hapësirë në dy misionet e tij të mëparshme.
Së bashku me astronautët Liu Boming dhe Tang Hongbo, Nie Haisheng do të qëndrojë tre muaj në orbitë, koha më e gjatë e qëndrimit në programin e fluturimeve hapësinore me kozmonautë të Kinës.
Ekuipazhi u dërgua në hapësirë dhe hyri në modulin kryesor “Tianhe” në qershor, dhe do të kthehet në Tokë pas më pak se një muaji, pasi ka kryer një numër detyrash.







