Presidenti kinez Xi Jinping vizitoi të hënën Fermën Pyjore “Saihanba” në provincën Hebei të Kinës Veriore. Përpjekjet e pandërprera të tre brezave të pemërritësve e kanë kthyer tokën djerrë në pyllin më të madh në botë të bërë nga njeriu.

Gjatë vizitës së tij, presidenti Xi dëgjoi raportin e punës nga pushteti vendor për koordinimin e mbrojtjes dhe restaurimit të maleve, lumenjve, pyjeve, tokave bujqësore, liqeneve dhe kullotave, duke u shprehur se zhvillimi i gjelbër do të zërë një pozitë më të lartë në nxitjen e modernizimit të vendit.

“Saihanba”, me sipërfaqe afro 93 000 hektarë, pothuajse u bë djerrishtë në vitet ‘50 të shekullit të kaluar për shkak të prerjes së shfrenuar të pemëve, gjë që shkaktoi edhe stuhi rëre që kërcënuan Pekinin dhe rajonet e afërta.

Në vitin 1962, qindra pylltarë filluan mbjelljen e pemëve në “Saihanba” për të ndryshuar prirjen e shkretëtirëzimit të shpejtë. Pas përpjekjeve të mundimshme të tre brezave, mbulimi me pyje është shtuar nga 11.4 % në 80 %, duke ofruar tani 137 milionë metra kubë ujë të pastër për kryeqytetin kinez.

Gjatë ceremonisë për të nderuar ata që kanë kontribuuar në fitoren kundër varfërisë ekstreme, Fermës Pyjore “Saihanba” iu dha titulli i rolit model kombëtar. “Saihanba” fitoi edhe çmimin “Kampionët e Tokës” të vitit 2017, nderimi më i lartë i këtij lloji nga Kombet e Bashkuara.

Xi bisedoi me disa pylltarë, inspektoi rritjen e pemëve dhe dëgjoi prezantimin mbi përpjekjet e fermës për zbatimin e frymës së “Saihanba”-së dhe promovimin e zhvillimit me cilësi të lartë. “Saihanba" është bërë një simbol i shpirtit kinez të punës së zellshme dhe një shembull i gjallë i qytetërimit ekologjik. (Xu Guang)