
Foto nga VCG
14 linja të reja të trenave të mallrave që kalojnë përmes Horgosit në Rajonin Autonom të Xinjiang-Uygur të Kinës Veriperëndimore, për në qytete të tjera të Kinës, Evropës dhe Azisë Qendrore janë hapur që nga fillimi i këtij viti, duke e bërë portin më të madh tokësor në Kinën Perëndimore një qendër tregtare edhe më të rëndësishme për nismën “Një brez, një rrugë”.
Horgos ka qenë një pikë kyçe që lidhte Azinë me Evropën e më gjerë përgjatë Rrugës së lashtë të Mëndafshit, dhe është tani një nyjë e rëndësishme e Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit, e cila është pjesë e nismës “Një brez, një rrugë” të propozuar nga Kina në vitin 2013.
Sipas Doganës së Horgosit, mbi 3 600 trena mallrash kaluan nëpër këtë qytet gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2021, me një rritje vjetore prej 44 për qind. Ndërkohë, vëllimi i mallrave u rrit me 56 për qind, duke arritur në mbi 5 milion tonë. Të dy shifrat janë më të lartat ndër të gjitha portet hekurudhore në Xinjiang.
Që nga përfshirja e Horgosit në Hekurudhën Ekspres Kinë-Evropë në mars 2016 deri në korrik 2021, mbi 15 000 trena mallrash Kinë-Evropë dhe Kinë-Azi Qendrore kanë kaluar përmes portit të Horgosit, duke transportuar mbi 20 milionë tonë mallra.
Trenat e mallrave janë bërë "kanali i artë" për zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit midis Kinës, Azisë Qendrore dhe Evropës, duke u parapëlqyer nga ndërmarrjet logjistike ndërkombëtare dhe zinxhiri i furnizimit. (Artan)







