Astronautët punojnë jashtë stacionit hapësinor(Foto:Xinhua)

Astronautët punojnë jashtë stacionit hapësinor(Foto:Xinhua)

Astronautët kinezë kanë përfunduar aktivitetet e tyre jashtë dhe janë kthyer në modulin kryesor të stacionit hapësinor “Tianhe”, njoftoi Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Kozmonautë e Kinës të premten.

Kjo është dalja e dytë jashtë e astronautëve gjatë ndërtimit të stacionit hapësinor të Kinës. Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Kozmonautë e ka shpallur atë një sukses të plotë.

Astronautët Nie Haisheng dhe Liu Boming dolën nga moduli bazë në mëngjes dhe përfunduan të gjitha detyrat e planifikuara pas afërsisht gjashtë orësh. Ata u kthyen në modulin kryesor të stacionit hapësinor në 2:33 të pasdites sipas orës së Pekinit, rreth një orë përpara kohës së përcaktuar.

Astronauti Tang Hongbo qëndroi brenda “Tianhe” duke bashkëpunuar me Nie dhe Liu për kryerjen e operacionit.

Detyrat e planifikuara, duke përfshirë instalimin e pompave të zgjatuara dhe ngritjen e kamerës panoramike, u realizuan me bashkërendim të ngushtë midis hapësirës dhe tokës, si dhe midis astronautëve brenda dhe jashtë anijes.

Astronautët punojnë jashtë stacionit hapësinor(Foto:Xinhua)

Astronautët punojnë jashtë stacionit hapësinor(Foto:Xinhua)

Astronautët punojnë jashtë stacionit hapësinor(Foto:Xinhua)

Gjatë kryerjes së detyrave u testuan më tej performanca dhe funksionimi i njësive të lëvizjes jashtë mjetit hapësinor të brezit të ri dhe bashkërendimi midis astronautëve dhe krahut mekanik, si dhe besueshmëria dhe siguria e pajisjeve mbështetëse përkatëse.

Tre astronautët u dërguan në hapësirë me anijen kozmike “Shenzhou-12” dhe hynë në “Tianhe” më 17 qershor. Liu Boming dhe Tang Hongbo e kryen daljen e parë jashtë modulit më 4 korrik.

Ekuipazhi i anijes kozmike “Shenzhou-12” do të vazhdojë të kryejë eksperimente lidhur me shkencën e teknologjinë e hapësirës para kthimit të planifikuar në mes të shtatorit.

“Shenzhou-12” është misioni i shtatë hapësinor me ekuipazh i Kinës dhe i pari gjatë ndërtimit të stacionit hapësinor kinez. "Reuters" njoftoi që, nëse Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar ekzistues nuk do të marrë mbështetje të re financiare, ai do të përballet me mundësinë e çaktivizimit brenda vitit 2024, kur Kina mund të bëhet vendi i vetëm që ka stacion hapësinor.

Punonjës në qendra të kontrollit në Tokë(Foto:Xinhua)

Punonjës në qendra të kontrollit në Tokë(Foto:Xinhua)

Deri më tani, projekti hapësinor i Kinës ka kryer shkëmbime dhe bashkëpunim me agjencitë hapësinore të shumë vendeve, Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Çështjet e Hapësirës Kozmike dhe organizata të tjera të fluturimeve hapësinore. Veçanërisht që nga viti 2016, Kina dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Çështjet e Hapësirës Kozmike kanë bashkëpunuar dhe po kërkojnë në mënyrë aktive të zbatojnë projekte bashkëpunimi në stacionin hapësinor kinez. Deri tani Kina ka përzgjedhur nëntë projekte të lidhura me 17 vende.(Artan)