Artikulli i postuar në uebsajtin e "The Washington Post"-it

Artikulli i postuar në uebsajtin e "The Washington Post"-it

Jonathan Zimmerman, historian nga Universiteti i Pensilvanisë, vuri në dukje në një artikull të publikuar në uebsajtin e gazetës “The Washington Post” se Partia Republikane në ShBA po përsërit historinë e vjetër të fajësimit të të huajve për sëmundjen.

Sipas artikullit, në historinë amerikane ka një temë të vjetër: fajësimi i të huajve në rast epidemie. Kjo ndodhi menjëherë pasi filloi pandemia e koronavirusit, kur presidenti Donald Trump e quajti atë "virusi i Kinës", një cilësim racist që ndihmoi në nxitjen e një rritjeje të rrezikshme të dhunës kundër aziatikëve, vë në dukje autori i artikullit.

Amerikanët gjithmonë i lidhin epidemitë me atë që ata i mendojnë si "të jashtëm", duke i përdorur si “kokë turku” që heq përgjegjësinë për të sëmurët dhe të vdekurit ndër amerikanët, vijon ai. Kur epidemia e lisë përfshiu San-Franciskon në vitin 1876, zyrtarët shëndetësorë të qytetit fajësuan kinezët “e paskrupullt dhe tradhtarë që shpërfillën ligjet tona shëndetësore". Të tjerët akuzuan imigrantët kinezë se po përhapnin lebrën. Të bardhët në San-Francisko i larguan "lebrozët kinezë" të shfytyruar, edhe pse nuk kishte dëshmi se ata vuanin nga lebra ... Këto veprime përfundimisht çuan në "Aktin e përjashtimit të kinezëve" në ShBA, thekson autori.

Kur emigrantët nga Evropa Jugore dhe Lindore hynë në qytetet amerikane në fillim të shekullit të 20-të, ata u akuzuan për bartjen e sëmundjeve. Është e vërtetë se emigrantët në qytete u infektuan nga tuberkulozi dhe sëmundje të tjera që lidhen me popullsinë e dendur dhe higjienën e dobët, por shumë amerikanë këmbëngulnin se problemi qëndronte në trupat e emigrantëve, jo në mjedisin e tyre të jetesës dhe të punës. Kjo "bindje" çoi në “Aktin e imigrimit” të vitit 1924. Edhe pasi Kongresi i ShBA-së hoqi kufizimet përkatëse në 1965, koncepti se ekziston një lidhje midis emigracionit dhe sëmundjeve ende ekziston (në shoqërinë amerikane).

Historia përsëritet, së pari tragjedi, pastaj si farsë. Koronavirusi po përhapet më shpejt në vendet ku ka përqindje të ulëta vaksinimi dhe jo përqindje të lartë emigrimi.

“Ne mund ta kishim kontrolluar virusin duke vaksinuar më shumë amerikanë dhe duke mbajtur maska e duke marrë masa të tjera. Por në shtetet me numrin më të lartë të rasteve dhe vdekjeve, politikanët po e vënë gishtin te njerëzit në jug të kufirit.

Ne jemi ndeshur me një armik, dhe ai është vetja jonë. Por është më e lehtë të fajësosh ‘të huajt’ sesa të shikosh veten në pasqyrë,” e mbyll artikullin e tij në uebsajtin e gazetës “The Washington Post” Jonathan Zimmerman.(Artan)