Pallati Potala,LLahsë, Tibet(Foto:Xinhua)

Në Kinë u zhvillua të enjten një tubim madhështor për 70-vjetorin e çlirimit paqësor të Tibetit.

Në fjalimin e vet në veprimtarinë e zhvilluar në kryeqendrën e Rajonit Autonom të Tibetit Lhasë,

Wang Yang, një ndër udhëheqësit kryesorë të Partisë Komuniste të Kinës, i cili kryesonte një delegacion të qeverisë qendrore, e quajti çlirimin paqësor të Tibetit në vitin 1951 si "një fitore të madhe të kauzës së çlirimit të popullit kinez dhe ribashkimit të Kinës".

Në Tibetin e vjetër praktikohej sistemi reaksionar e barbar i bujkrobërisë feudale, ndërsa sot Tibeti ka mbi 35 000 deputetë të asambleve popullore dhe mbi 8 000 anëtarë të konferencës konsultative politike në nivele të ndryshme, 90 për qind e të cilëve janë pjesëtarë të pakicave kombëtare.

Bujkrob para çlirimit(Foto:CMG)

Bujkrob para çlirimit(Foto:CMG)

Bujkrob para çlirimit(Foto:CMG)

Prodhimi i brendshëm në Tibet u rrit në 190 miliardë juanë (mbi 29 miliardë dollarë amerikanë) në vitin 2020, nga vetëm 130 milionë juanë që ishte në vitin 1951. Sidomos gjatë tetë vjetëve të fundit, rajoni renditet ndër tre vendet e para në Kinë për sa i përket rritjes mesatare vjetore, dhe kryeson prej shumë vjetësh për rritjen e të ardhurave të disponueshme për frymë të banorëve të fshatit. Rreth 628 000 veta janë nxjerrë nga varfëria.

Në Tibetin e vjetër, deri në 95 për qind e popullsisë ishte analfabete. Sot arsimi 15-vjeçar me financim publik është i përhapur në të gjithë rajonin, duke i dhënë fund problemit të vjetër të braktisjes së shkollës. Jetëgjatësia mesatare është rritur nga 35.5 vjet më 1951 në 71.1 vjet.

Në pesë vjetët e fundit, në Tibet janë bërë afro 160 milionë vizita turistike, ndërsa 140 linja ajrore e lidhin Tibetin me pjesën tjetër të vendit dhe botës.

Gjuha tibetiane përdoret gjerësisht. Veprat e çmuara klasike tibetiane janë ruajtur dhe grumbulluar. Afro 800 projekte, duke përfshirë pikturën thangka, operën tibetiane dhe mjekësinë tibetiane, janë përfshirë në “Listën e trashëgimisë kulturore jomateriale” të Kinës.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Tibet i tanishëm (Foto:Xinhua)

"Së bashku me pjesën tjetër të vendit, Tibeti, siç ishte parashikuar, ka përfunduar ndërtimin e një shoqërie relativisht të begatë në të gjitha aspektet," theksoi Wang.

Ai premtoi se kontributi dhe mbështetja e vendit për zhvillimin e Tibetit do të shtohet.

"Askush nga jashtë Kinës nuk ka të drejtë të na drejtojë gishtin kur bëhet fjalë për çështjen e Tibetit. Çdo përpjekje ose manovër për ta ndarë Tibetin nga Kina do të dështojë," u shpreh Wang.

Ai po ashtu ritheksoi mbështetjen për kthimin e Tibetit në një rajon demonstrues në shkallë kombëtare mbi mbrojtjen ekologjike, duke zbatuar një program gjithëpërfshirës pilot të kompensimit ekologjik.(Artan)