
Valltare ujgure në festival, Xinjiang(VCG)
Politikanët dhe studiuesit e huaj kanë vlerësuar lart masat kundër terrorizmit dhe çradikalizimit në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës Veriperëndimore dhe kanë bërë thirrje për thellimin e bashkëpunimit në këtë drejtim për të trajtuar sfidat e ardhshme.
Ata i shprehën pikëpamjet e tyre përmes lidhjes me video në një simpozium ndërkombëtar të mbajtur të hënën nga Qendra Kërkimore e Zhvillimit e Xinjiang-ut. Më shumë se 30 zyrtarë, politikanë dhe studiues nga 16 vende morën pjesë në simpozium.
John Ross, një studiues britanik dhe anëtar i lartë në Institutin për Studime Financiare “Chongyang” të Universitetit “Renmin” të Kinës, dënoi disa media perëndimore për përhapjen e gënjeshtrave politike në lidhje me Xinjiang-un.
Duke cituar të dhënat e regjistrimit të popullsisë në Kinë që tregojnë një rritje të numrit të banorëve ujgurë, Ross hodhi poshtë pretendimin për një ashtuquajturin gjenocid në Xinjiang dhe sugjeroi që të gjithë të shkojnë atje për të parë situatën e vërtetë me sytë e tyre.
Jean Pegouret, president i agjencisë “Saphir Eurasia Promotion”, akuzoi disa vende perëndimore se po nxisin të ashtuquajturat çështje të lidhura me Xinjiang-un në përpjekje për të shkaktuar kaos dhe për të penguar zhvillimin e Kinës.

CGTN
Kina ka grumbulluar shumë përvojë në luftimin e terrorizmit dhe ka përmirësuar mirëqenien e njerëzve në Xinjiang, tha Pegouret.
Uwe Behrens, një ekspert gjerman për Kinën dhe shkrimtar i njohur, vlerësoi masat e Kinës për të luftuar terrorizmin duke përmirësuar standardet e jetesës së njerëzve dhe duke forcuar unitetin etnik.
Behrens, i cili jetoi në Kinë për 27 vjet dhe ka punuar në Xinjiang, tha se Kina duhet të vazhdojë të luajë rolin e saj në ruajtjen e paqes e të stabilitetit rajonal dhe të bashkëpunojë me vendet e tjera për të luftuar terrorizmin.
Pikëpamja e tij gjeti jehonë edhe nga ekspertë të tjerë, të cilët shprehën pritshmëri të larta për një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar kundër terrorizmit.
"Egjipti dhe Kina janë të dy viktima të terrorizmit. Shpresoj se do të forcojmë kontaktet në fushën e antiterrorizmit dhe do të ruajmë së bashku paqen e stabilitetin," tha ish-ambasadori egjiptian në Kinë Ali Hefny.(Artan)







