
VCG
“Lajm i rremë” është një shprehje që ish-presidenti amerikan e përdorte shumë shpesh. “Por, fatkeqësisht, ajo përshkruan realitetin në luftën antiepidemike amerikane”, komenton Grupi Mediatik i Kinës.
Sipas komentit, që nga shpërthimi i COVID-19, lajmet e rreme mbizotërojnë në shoqërinë amerikane, duke mposhtur njohuritë e përgjithshme shkencore dhe frymën e arsyes, duke shkaktuar situatën aktuale serioze.
Për fjalët e ish-presidentit amerikan se COVID-19 ishte “një grip, por më i fuqishëm” ose se virusi “do të zhdukej me ngrohjen e motit”, një ekspert i shëndetit publik i tha gazetës “The Hill” se terapitë e gabuara të propozuara nga ish-presidenti kanë ulur mundësinë e zbatimit të këshillave mjekësore prej qytetarëve, duke e vënë jetën e tyre në rrezik. Kurse, nën pretekstin e “lirisë së fjalës”, lajmet e rreme qarkullonin gjerësisht në hapësirën kibernetike. Sipas një sondazhi të kryer nga studiuesit e Aleancës për Shkencën pranë Universitetit Cornell, nga fillimi i janarit deri në fund të majit të vitit të kaluar, ndër më shumë se 38 milionë artikuj të postuar në media në gjuhën angleze për pandeminë, mbi 1.1 milionë përmbanin informacione të rreme, të cilët janë ripostuar mbi 36 milionë herë, 3/4 në “Facebook”. Joshua Sharfstein, zv.dekan i Fakultetit të Praktikës së Shëndetit Publik dhe Angazhimit në Komunitet të Universitetit “Johns Hopkins”, vuri në dukje se përhapja e lajmeve të rreme është një ndër arsyet kryesore që epidemia nuk është frenuar si duhet në ShBA.
“Por, më ironike është se, kur politikanët në Uashington kritikojnë gjigantët e medias sociale për moskontrollin efektiv të informacioneve të gabuara në platformat e tyre, ata qëndrojnë pas fabrikimit të lajmeve të rreme kundër Kinës. Nga etiketimi i virusit deri në përbaltjen me teorinë e daljes së virusit nga laboratori, ‘të zotët’ e Shtëpisë së Bardhë ndërruan, por shfajësimi i tyre ka vijuar. Këto informacione po keqorientojnë banorët amerikanë dhe po harxhojnë energjitë e vendit në luftën kundër epidemisë, duke dëmtuar edhe bashkëpunimin global antipandemik. Autorët e këtyre lajmeve duhet të dënohen si ligjërisht, ashtu edhe moralisht”, përfundon komenti.(Zhang Yan/Artan)







