Një studim i kohëve të fundit tregoi se COVID-19 mund të ketë qarkulluar në Itali në fund të vitit 2019, disa javë para se të identifikohej zyrtarisht në Kinë, duke ngritur më shumë pyetje në lidhje me origjinën e virusit.

Që nga fillimi i pandemisë së COVID-19, shkencëtarët nga tërë bota kanë studiuar SARS-CoV-2, virusi që shkakton sëmundjen.

Nëpërmjet shqyrtimit të rasteve të kaluara, analizës së kampioneve të gjakut dhe madje edhe të ujërave të zeza, studime të shumta zbuluan ekzistencën e virusit diku tjetër, para se Kina të raportonte rastin e vet të parë.

"Këta shembuj janë nga studimet e fundit të shkencëtarëve nga mbarë bota, që tregojnë se Wuhan-i mund të mos ketë qenë vendi i parë i fillimit të SARS-CoV-2," tha muajin e kaluar Liang Wannian, drejtuesi i palës kineze në ekipin e përbashkët të ekspertëve Kinë-OBSh për studimin global të origjinës së COVID-19.

Nga 14 janari deri më 10 shkurt, gjithsej 34 ekspertë nga OBSh-ja dhe Kina kryen së bashku një studim 28-ditor në Wuhan. Ata nxorën përfundimin se "ka jashtëzakonisht pak gjasa" që virusi të ketë dalë nga laboratori dhe rekomanduan kryerjen e hulumtimeve të mëtejshme rreth rasteve të mëparshme në nivel global. (Artan/Fani)