Foto nga VCG

Kina u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të ndalojnë shitjen e armëve rajonit të Tajvanit dhe të ndërpresin kontaktet ushtarake me ishullin, tha të enjten një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Sipas Pentagonit, Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të sistemeve të artilerisë me rreze të mesme “Howitzer” Tajvanit në një marrëveshje me vlerë 750 milionë dollarë.

Zëdhënësi i diplomacisë kineze shprehu në një deklaratë kundërshtim të fortë ndaj këtij veprimi, duke thënë se Kina i ka paraqitur pakënaqësinë e vet serioze palës amerikane.

Duke theksuar se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme territoriale e Kinës, zëdhënësi e akuzoi ShBA-në për ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës dhe minimin e sovranitetit dhe interesave të sigurisë të Kinës duke i shitur armë rajonit të Tajvanit.

"Kjo është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe parimet themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe shkel parimin e ‘Një Kinë’ dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta Kinë-ShBA, veçanërisht të Komunikatës së 17 gushtit," thuhet në deklaratë.

Zëdhënësi gjithashtu vuri në dukje se pala amerikane dërgon sinjale të gabuara për forcat separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" dhe rrezikon rëndë marrëdhëniet Kinë-ShBA dhe paqen e qëndrueshmërinë në ngushticën e Tajvanit.

Kina do të marrë me vendosmëri kundërmasa të ligjshme e të nevojshme në dritën e zhvillimit të situatës, shtoi ai.

Ma Xiaoguang, zëdhënës i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Këshillit të Shtetit, shprehu po ashtu të enjten kundërshtim të vendosur ndaj planit amerikan të shitjes së armëve. (Artan/Fani)